Para anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, sot ka raportuar inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani. Në këtë mbledhje u diskutua për mundësinë e ndryshimit të ligjit të AKI-së.
Pas mbledhjes, e cila u mbajt pa praninë e mediave, kryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhelili tha se inspektori i përgjithshëm i AKI-së gjatë periudhës gjashtëmujore ka bërë një punë të mirë.
Nga inspektimet e bëra, ai thotë se është rekomanduar që zyrtarët të marrin më shumë njohuri për rregulloret brenda këtij institucioni.
“Në raportim ishte inspektori i Agjencionit, morëm informata të cilat tregonin për vitin 2018 për auditimin dhe inspektimet. Agjencioni nuk ka pasur inspektor për një periudhë 9 mujore. Për periudhën gjashtëmujore që Ramadani është në krye të Inspektoratit të Agjencionit ka bërë një punë të suksesshme, një punë që prezantoi për vitin 2018 dhe është në fakt në përfundim të auditimit për vitin 2019…. Rekomandimet kryesore kanë qenë përvetësimi i njohurive për rregulloret e zyrtarëve që të jenë gjithherë të njoftuar për detyrat obligimet në drejtim të Agjencionit dhe punës që bëjnë dhe mos të thonë qe e kemi bërë këtë lëshim”, tha ai.
Xhelili tutje tha se Burim Ramadani nuk ka dhënë informacione për kasafortën që u tha se u la e hapur nga ish-ushtruesi i detyrës së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla. Sipas tij, kjo nuk është detyra e inspektorit të përgjithshëm të AKI-së.
“Nuk është detyrë e inspektoratit të raportojë për këtë çështje, faktikisht inspektori është një mekanizëm i qeverisë që bën mbikëqyrjen e punës së Agjencionit të njësive brenda Agjencionit, as nuk e ka pasur detyrë dhe as nuk ka pasur pyetje prej deputetëve”, tha ai.
Kurse, anëtari i Komisionit për mbikëqyrje të AKI-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj tha se në këtë mbledhje kanë diskutuar për ndryshimet që duhet t’i pësojë Ligji për Agjencionin Kosovar të Inteligjencës dhe për këtë sipas tij duhet të ketë pajtueshmëri në mes subjekteve politike.
“Ka pasur diskutim edhe për Ligjin e AKI-së, ka pasur mendime të ndryshme se si e shohin atë, por njëzëri kemi menduar që duhet të ketë një hapje të ligjit sepse ai ligj është aprovuar nga Kuvendi qysh moti dhe normalisht që duhet të adapotohet dhe të ndryshohet. Normalisht duhet të ketë pajtim nga deputetët e partive të ndryshme parlamentare dhe mendoj që këtë pajtim duhet të arrijmë edhe për të mirë të Agjencisë… ajo çka ne nuk jemi pajtuar dhe kemi pyetur atë ka qenë ligjshmëria e tij dhe drejtorit pasi që ata më parë kanë bartur dhe poste partiake”, tha ai/ KsP.