Raportuesja për Kosovën: Dialogu ka qëllim njohjen, por në fillim janë të rëndësishëm hapat e vegjël

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon thotë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohjen reciproke. Eurodeputetja në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se duhet të ketë përgatitje përmbajtësore lidhur me procesin e dialogut i cili do të jetë i gjatë.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola Von Cramon është shprehur se BE’ja ka pasur mundësi të bëjë më shumë që nga fillimi i dialogut sidomos në raportin me Serbinë

“Bashkimi Evropian do të mund të bënte më shumë në të kaluarën. Por mjeti më i fuqishëm i BE’së në drejtim të Ballkanit Perëndimor është në kornizën e negociatave për anëtarësim, por me sa duket nuk është duke funksionuar. Serbia ka filluar negociatat e saj për anëtarësim në 2013, por që nga atëherë, Serbia ka ngecur prapa në shumë fusha, Vuçiq ka zbehur demokracinë atje  në ato vite kur Serbia do të duhej të ngriste standardet e veta. E njëjta vlen për dialogun Beograd-Prishtinë, BE-ja nuk ishte duke i përdorur mundësitë as shkopinjtë e saj (ne jemi donatorët më të mëdhenj në rajon!) për të pasur përparim thelbësor”, ka thënë Von Cramon.

Reklama e sponzorizuar

Gjermanja Von Cramon nuk la pa kritikuar edhe qasjen e ish Përfaqësues së Lartë të BE’së, Federica Mogherini në lidhje me atë se si e ka ndërmjetësuar këtë proces.

“Viteve të kaluara nën udhëheqjen e Përfaqësues së Lartë, Federica Mogherini, i gjithë procesi ishte i turbullt, ne nuk e dinim çfarë po diskutohej në tavolinë, cilat marrëveshje ishin duke u hartuar e të tjera. Pa një mënyrë të qartë dhe transparente ne po ashtu e humbim aftësinë tonë për të bërë presion ndaj pjesëmarrësve që të bëjnë pak përparim”, tha ajo.

E pyetur se si e sheh deklaratën e Përfaqësuesit Special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi , Miroslav Lajçak gjatë vizitës në Kosovë që nuk ka autorizim për të çuar dy palët drejt njohjes së dyanshme,  por vetëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, europarlamentarja u shpreh se qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja e Kosovës.

“Qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja e Kosovës, kjo është e qartë. Megjithatë, në situatën e tanishme edhe hapat e vegjël kanë rëndësi, në fakt ka shumë gjëra për të cilat të dyja palët mund të merren vesh para njohjes përfundimtare. Është një numër i fushave, të cilat vërtet i shqetësojnë qytetarët që jetojnë atje e të cilat mund të përmirësohen lehtë”, tha Von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në PE ka thënë tutje se procesi i dialogut nën mbikëqyrjen e BE’së do të jetë i gjatë dhe për këtë duhen përgatitje përmbajtësore dhe jo deklarata të shkurta e fotografi.

“Është një numër i fushave, të cilat vërtet i shqetësojnë qytetarët që jetojnë atje e të cilat mund të përmirësohen lehtë. Nëse ne arrijmë marrëveshje për këto çështje, kjo tashmë do të ishte sukses dhe në këtë bazë ai do të mund të ndërtonte më shumë, e shoh këtë si një proces të gjatë, të cilin nuk mund ta rregullojmë përmes një mundësie të shpejtë fotografimi dhe me disa deklarata të shkurtra e të paqarta, na duhen përgatitje përmbajtësore dhe unë jam i bindur se z.Lajçak do të mund ta arrijë këtë së shpejti”, tha ajo.

Deputetja Von Cramon, ka kritikuar mënyrën se si Emisari Special i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell e ka trajtuar procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me takimin e anuluar në Washington, europarlamentarja është shprehur se Richard Grenell e ka organizuar atë takim për të shkrepur fotografi për kampanjën elektorale të Presidentit Donald Trump.

“Do të isha mjaft e befasuar nëse ata do të arrinin një marrëveshje finale. Ndonjëherë duket se z. Grenell do të organizonte thjesht disa fotografi për kampanjën para elektorale të Trumpit. Grenell para së gjithash fliste për një “Mini-Shenzen” apo “Mini-Schengen”, ku mungonte një shpjegim konkret”, ka thënë ajo.

Von Cramon shtoi se Richard Grenell do të duhej ta ftonte edhe Miroslav Lajçakun në takimin e 27 qershorit, pasi një marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë duhet të ketë mbështetjen e të gjithë akterëve.

“Nëse ata synonin një progres thelbësor dhe stabilitet, ata nuk do të duhet të përjashtonin dhe ta shmangnin z. Lajçak pasi që ata mendohet se kanë qëllimin e njëjtë. Një marrëveshje finale do të duhej të kishte mbështetjen e të gjithë lojtarëve kryesorë dhe atyre lokalë, përndryshe nuk do të mund të sillte stabilitet”, tha ajo.