Në kohën kur shtetet e ShBA-së po i largojnë masat kufizuese dhe më shumë amerikanë po dalin jashtë shtëpive, gati gjysma e tyre po shënojnë numër më të lartë të rasteve të koronavirusit.
Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, mbi 1.9 milion amerikanë janë infektuar me Covid-19 dhe më shumë se 110,000 kanë vdekur në pak më shumë se katër muaj, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Në nivel kombëtar, 22 shtete të ShBA-së kanë shënuar rritje të numrit të rasteve. 20 shtete kanë shënuar rënie, ndërsa tetë të tjera janë duke mbetur në situatë të njëjtë.
Njëra nga shtetet që e ka shënuar rritjen më të madhe të rasteve është Florida. Numri i rasteve të reja të raportuara në secilën ditë është rritur mesatarisht për 46 për qind gjatë javës së kaluar, në kohën kur pjesa më e madhe e këtij vendi u fut në fazën e dytë të rihapjes.
Ka dëshmi botërore se pandemia nuk është as afër fundit. E diela shënoi ditën me më së shumti raste të raportuara për 24 orë, bëri të ditur drejtori i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Hulumtuesit në Universitetin e Kalifornisë thanë se rreth 60 milionë infektime me koronavirus janë parandaluar në pjesën e parë të prillit falë masave kufizuese. Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara janë bindshëm në vendin e parë në botë për numrin më të madh të rasteve.