Rritja e rasteve të reja dhe frika nga një valë e dytë, BE mund të ndalojë hyrjen e amerikanëve në vendet e bllokut

Vendet e Bashkimit Europian mund të mbyllin kufijtë e tyre për udhëtarët amerikanë ndërsa kërkojnë të rihapin ekonomitë e tyre në turizëm për shkak të mënyrës se si Uashingtoni e ka trajtuar pandeminë, raportoi The New York Times, duke cituar zyrtarët europianë.

Një zyrtar i përfshirë në bisedime midis anëtarëve të Bashkimit Europian tha se blloku kishte dy projektlista të udhëtarëve që do të lejohen në vendet anëtare të BE-së, ku amerikanët nuk përfshiheshin në të. Një zyrtar i dytë i përfshirë në bisedime konfirmoi listat, të cilat nuk janë bërë publike, dhe dy të tjerë konfirmuan përmbajtjen e tyre.

Projektlistat do të lejojnë udhëtarët nga Kina, ku virusi u shfaq në fund të vitit të kaluar, por përjashtojnë amerikanët, si dhe brazilianët dhe rusët.

Reklama e sponzorizuar

Zyrtarët e intervistuar nga “Times” thanë që Shtetet e Bashkuara mund të shtohen më vonë në listën e udhëtarëve të pranueshëm nëse bie numri i rasteve të reja me Covid-19.

Raporti gjithashtu sqaron se përbërja e listave është ende jo zyrtare dhe mund të ndryshohet para afatit.

Shqetësim për valën e dytë të mundshme në Europë

Shtetet e Bashkuara janë deri më tani vendi më i goditur nga virusi në botë, me më shumë se 2,3 milion të infektuar dhe me më shumë se 120 mijë vdekje të konfirmuara. Vendet e Bashkimit Europian kanë qenë kryesisht të mbyllura për të gjithë qytetarët jashtë bllokut, përveçse në rastet e “udhëtimit thelbësor”, që nga mesi i marsit.

Në mënyrë të ngjashme, Shtetet e Bashkuara mbyllën kufijtë e tyre për shumicën e shtetasve europianë në të njëjtën kohë.

Rritja e niveleve të infeksionit në disa shtete amerikane ka shqetësuar zyrtarët europianë për mundësinë që udhëtarët të mund të shkaktojnë një valë të dytë të infeksioneve në kontinent.

Por ndalimi i turistëve amerikanë mund të nënkuptojë miliona dollarë të ardhura të humbura nga turizmi për vendet që përpiqen të rimarrin veten ekonomikisht pas muajsh bllokimi. Disa vende të BE-së tashmë kanë hapur kufijtë e tyre për udhëtarët jo anëtarë të unionit./AFP