Ka shkuar në 40 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kosovë, sipas njoftimit të fundit të bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.
Përderisa të martën në njoftimin zyrtar të IKSHPK-së numri total i vdekjeve nga ky virus në Kosovë ishte 38, të mërkurën numri është rritur për dy, me institutin që s’ka dhënë detaje se për cilat raste bëhet fjalë.
Të martën dhe të mërkurën ishin regjistruar disa vdekje të pacientëve të dyshuar për COVID-19. Ata ishin testuar pas vdekjeve. IKSHPK s’ka bërë të ditur zyrtarisht se cilat raste janë regjistruar si vdekje të reja nga koronavirusi.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë shkurt se një rast për t’u konfirmuar ka qenë dje dhe një sot. “Me këto dy raste ka shkuar numri në 40”, kanë thënë nga MSH-ja, duke shtuar se të enjten në mesditë përditësohet raporti.
Deri tash në Kosovë janë regjistruar 2363 raste me COVID-19, ndërsa 1171 janë shëruar.