Shkon në 40 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kosovë

Ka shkuar në 40 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kosovë, sipas njoftimit të fundit të bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

Përderisa të martën në njoftimin zyrtar të IKSHPK-së numri total i vdekjeve nga ky virus në Kosovë ishte 38, të mërkurën numri është rritur për dy, me institutin që s’ka dhënë detaje se për cilat raste bëhet fjalë.

Reklama e sponzorizuar

Të martën dhe të mërkurën ishin regjistruar disa vdekje të pacientëve të dyshuar për COVID-19. Ata ishin testuar pas vdekjeve. IKSHPK s’ka bërë të ditur zyrtarisht se cilat raste janë regjistruar si vdekje të reja nga koronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë shkurt se një rast për t’u konfirmuar ka qenë dje dhe një sot. “Me këto dy raste ka shkuar numri në 40”, kanë thënë nga MSH-ja, duke shtuar se të enjten në mesditë përditësohet raporti.

Deri tash në Kosovë janë regjistruar 2363 raste me COVID-19, ndërsa 1171 janë shëruar.