Shoqata e Hotelierëve të Kosovës “ProIn” ka njoftuar se shumë shpejtë pritet të merret vendimi për lejimin e dasmave.
Kjo është bërë e ditur pas takimit me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi nga kjo shoqatë.
“Sot më datë 25.06.2020 mbajtëm takimin me ministrin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi për të qartësuar një herë e mirë amullin dhe konfuzionin e krijuar në lidhje me lejimin e mbajtjes së dasmave. Takimi ishte shumë i frytshëm dhe ashtu si u propozua në mbledhjen e qeverisë të datës 23.06.2020 që dasmat të fillojnë të mbahen. Takimi ishte mjaft i qartë dhe shumë i frytshëm është çështje e orëve për urdhëresën nga MTI”, njofton shoqata, përcjell Telegrafi.
Ditë më parë ishte njoftuar se do të lejohej organizimi i dasmave, mirëpo kryeministri Avdullah Hoti kishte thënë se ende nuk ka vendim final për këtë.
“Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur për lejimin e dasmave dhe ahengjeve. Më datën 1 korrik, përfaqësuesit e estradës dhe hotelerisë do të takohen me Komisionin Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj #COVID19 për të vlerësuar nëse ka kushte që të zhvillohen aktivitete të tilla”, kishte shkruar Hoti.