Shpërblehen sekretarët që ia punësuan renë Mustafës dhe dhëndrin Limajt

Qeveria e Kosovës i ka rikthyer të hënën në detyrë tre sekretarë të përgjithshëm, të cilët me vendim të qeverisë së kaluar, në muajin shkurt ishin vënë në Listë Rezervë. Dy përfitues të kësaj vendimmarrjeje të Qeverisë Hoti janë njerëz të afërt me Lidhjen Demokratike që udhëheq me qeverinë, e njëri me Nismën Socialdemokrate, e cila është pjesë e koalicionit.

Të tre janë të përfshirë në histori abuzimesh.

Me vendimin e parë, Burim Rreci është rikthyer sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Ky dikaster qeveritar drejtohet nga Vesel Krasniqi i Nismës, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Ka qenë vetë Krasniqi ai që e ka propozuar kthimin.

“Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i caktuar me vendimin e qeverisë numër 1/26 të datës 29.01.2018 duhet të kthehet dhe të vazhdojë punën brenda mandatit ligjor brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë”, ka thënë ministri Krasniqi.

Rreci ka një histori hyrje-daljesh në këtë funksion.

Në gusht të vitit 2018, Bajram Hasani i Nismës ishte ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Ai e kishte suspenduar Rrecin nga detyra e sekretarit, nën arsyetimin për ndërhyrje në grante e tenderë. Por, ky vendim i kishte kushtuar me post.

Me kërkesë të partisë që i përkiste, Hasani ishte shkarkuar me vendim të kryeministrit të asaj kohe, Ramush Haradinaj.

Menjëherë pas kësaj, Rreci ishte rikthyer në pozitë dhe kishte qëndruar aty, deri në shkurtin e sivjetmë, kur Qeveria Kurti i kishte vënë në listë rezervë një numër sekretarësh.