Moshapja e kufijve të shteteve të Bashkimit Evropian me të gjitha vendet, përfshirë Kosovën, ka bërë që të anulohen dy fluturime nga Zvicra e Gjermania për në Prishtinë.
Zyrtarë të Aeroportit kanë thënë se të gjitha fluturimet për këto dy ditët e fundit janë anuluar.
Por, Bujar Gashi zyrtar për marrëdhënie me publikun në aeroport, ka shtuar se ANP është në pritje gjithashtu të një vendimi zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës që të hapet tërësisht aeroporti, raporton KOHA.
Ndonëse ende nuk dihet se kur do të fillojnë të operojnë linjat e rregullta ajrore, Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur udhëzuesin, i cili parasheh rregullat që duhet t’u përmbahen udhëtarët.
Ndër të tjera, ky manual 200-faqesh, i prezantuar të hënën, përcakton se si duhet të funksionojnë institucionet dhe bizneset që janë lejuar të punojnë.
Derisa drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, u ka bërë thirrje të gjithë kryetarëve të komunave e partive politike që të ndihmojnë që ky udhëzues të respektohet nga të gjithë, duke shtuar se të gjithë duhet t’u kushtojnë vëmendje distancës dhe mbajtjes së maskave e dorëzave.