Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi në Podgoricë se NATO vazhdon t’i kontribuojë sigurisë në Kosovë përmes misionit të KFOR-it, i cili nën mandatin e OKB-së garanton ambient të qëndrueshëm e të sigurt, si dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe duke mbështetur dialogun Beograd-Prishtinë, nën patronatin e Bashkimit Europian, transmeton Koha.net.
Stoltenberg ka thënë se dialogu është e vetmja mënyrë që të arrihet zgjidhja afatgjatë e kontestit aktual.
Kjo është vendimtare për Beogradin e Prishtinën, por po ashtu edhe për paqen dhe sigurinë rajonale. Me rëndësi është që marrëveshjet të arrihen në këto korniza dhe ato të zbatohen. Në lidhje me këtë presim nga të dy palët të tregojnë përkushtim dhe maturi, ka thënë Stoltenberg në një intervistë për “Vijesti” të Podgoricës , me rastin e trevjetorit të anëtarësimit të Malit të Zi në Aleancë.
Siç është shprehur ai, siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë me rëndësi për NATO-n, ndërsa janë vendimtare për paqen dhe stabilitetin në Europë.
Ky rajon gjatë viteve të fundit ka arritur shumë, por, kuptohet, jemi plotësisht të ndërgjegjshëm për sfidat e tjera, përfshirë krimin e organizuar, papunësinë, aktivitet ekonomike të kundërligjshme dhe rrisqet e ndërlidhura me shembuj të dëmshëm të një retorike me të cilën theksohen dallimet etnike, ka thënë sekretari i NATO-s.
Demokracia, sundimi i të drejtës, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, ka thënë ai, kanë rëndësi vitale për përparimin e të gjithëve në rajon.
Nga fundi i viteve të 90-ta, forcat tona kanë ndihmuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin perëndimor. Zyrat tona në Sarajevë, Beograd e Shkup promovojnë dialogun politik dhe zbatojnë bashkëpunimin praktik me partnerët tanë, ka theksuar Stoltenberg, transmeton Koha.net.