Tahiri: Me Serbinë të bisedohet vetëm për njohje reciproke, roli i SHBA-së i pashmangshëm

Tahiri thotë se në dialog Kosova është e mbrojtur nga Asociacioni i Komunave Serbe me

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria dëshiron ta bëjë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por pa kompetenca ekzekutive.

Ai ka thënë se Kosova është e mbrojtur nga dy tema të rrezikshme siç janë ndarja e territorit dhe Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Sipas Tahirit të parën e ka mbrojtur ish-kryeministri Ramush Haradinaj e të dytën Gjykata Kushtetuese.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se duhet pasur kujdes që në dialogun me Serbinë të mos hynë tema të parëndësishme.

Sipas tij, në dialog duhet të bisedohet vetëm për njohje reciproke.

“Ne duhet pasur kujdes mos me hy në tema qe janë të parëndësishme, diskutimi për normalizim të marrëdhënieve është i pakuptueshëm. Marrëdhëniet në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë normalizuar në forume të ndryshme. Ka biznesmen që kanë marrëdhënie ekonomike me biznesmen në Serbi. Njohja reciproke na shërben për qartësimin e rrugës tonë drejt BE-së sepse ne rrugë tjetër nuk kemi. E dyta është anëtarësimi në OKB”, thuhet në njoftim.

Ai ka thënë se Qeveria ka përgatitur platformën për dialogun, të cilën sipas tij do t’ia dorëzojë të dërguarit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

“Aty janë të vendosura tri parimet themelore, njëra është integriteti territorial, e dyta është që Asociacioni duhet të jetë në kuadër të Kushtetutës dhe e treta është njohja reciprok”, ka thënë ai.

Sipas tij, “pa njohje reciproke do të ketë kthim në takimet që kishte fotografi të buzëqeshura e nënshkrim i marrëveshjeve që nuk kanë dhënë rezultat në praktikë”.

Tahiri ka thënë se dialogu ka nisur që të mbyllë disa çështje të hapura me Serbinë, lehtësimin e rrugës se Kosovës drejtë BE-së e për të cilën thotë se nuk ka ndodhur.

Ai tutje shton se BE-ja i lëvizë fjalët kur është koha e vendimeve.

Sipas tij, liderët institucional duhet t’i takojnë zyrtarët e lartë ndërkombëtarë. Tahiri thotë se Lajçak e përfaqëson BE-në, porse sipas tij, kur vjen puna te dialogu, numër një janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk ka asgjë të keqe me pas samite dhe përfaqësim të kryeministrit të Kosovës ku ulet i barabartë me një kryeministër tjetër. Nuk duhet të ikim, vetëm nuk duhet të lejohet nënshkrimi i marrëveshjeve të dëmshme. Mua më jep siguri flamuri i SHBA-ve në tavolinë”, ka thënë ai.

Roli i opozitës në dialog i pashmangshëm, thotë Tahiri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se roli i opozitës në dialogun me Serbinë është i pashmangshëm. Sipas tij, opozita duhet t’i bashkohet “ekipit kombëtar” për dialogun me Serbinë, sepse kjo “s’ka të bëjë me raport të brendshëm, por përballjen me dikë tjetër”.

Ai ka thënë se spektri politik në Kosovë duhet të kuptojë “se ky është momentumi ynë për këtë marrëveshje”.

Tahiri ka thënë se Kosovën në dialog do ta përfaqësojë Qeveria, ndërsa ka shtuar se do të propozohet edhe formimi i një komisioni në Kuvend për të mbikëqyrur procesin.

“Kryeministri Hoti ka rolin e vet në bazë të atij vendimi sikur që e ka rolin presidenti Thaçi sipas Kushtetutës. Nëse do të ketë marrëveshje më të madhe, ajo që dihet është se çdo marrëveshje kërkon 2/3 e votave në Kuvend. Roli i opozitës është i pashmangshëm. Do të ndodhë në çfarëdo votimi. Për këtë Hoti ka prezantuar një platformë të tij. Do të propozohet formimi i një komisioni ad-hoc parlamentar që të mbikëqyrë procesin. Duhet të raportojë para se të shkojë dhe pasi të kthehet kryeministri. Forumi i liderëve politikë mendoj se do të ketë fuqi vetëm po të jetë i plotë. Forumi i liderëve do të ketë rol konsultativ ku informohet para dhe pas epilogut. Kemi vendim të Gjykatës dhe duhet ta respektojmë edhe për pozicionin e Hotit dhe të Thaçit. Ajo që diskutohet është se kush do të shkojë. Normalisht që Qeveria negocion”, ka deklaruar Tahiri në Deskun e KOHËS.

Duke iu kthyer Qeverisë Haradinaj, Tahiri ka thënë se ish-kryeministri Ramush Haradinaj me taksën kishte “ruajtur pozicion të qëndrueshëm të Kosovës” dhe se “ka ndalur ndarjen e vendit”.

Tahiri ka thënë se e sheh problem shkuarjen në dialog pa mbështetjen e plotë politike në vend.

“Faktori politik në aspektin kombëtar duke u thirrur edhe në të kaluarën e lavdishme duhet të mendojë se a është ky momentumi jonë. A është momentumi që na ka ardhë pasi ka interes te zyra e Trumpit për 2 milionë shqiptarë. A duhet të shfrytëzojmë këtë për të përfunduar një konflikt qe 20 vjet dhe a kemi komoditet të sillemi në këtë temë”, ka thënë ai derisa ka shtuar se “humbës jemi të gjithë nëse dështojmë”.

Ai ka thënë se ndarja e Kosovës është opsion i pamundshëm. Kjo, sipas tij, sepse do të kishte efekt domino në të gjitha anët.

“Kjo godet Evropën dhe të gjithë të tjerët. Këta kufij i ka garantuar 17 shkurti dhe njohja e SHBA-së me këta kufij”, ka thënë ai.


Tahiri thotë se Qeveria do të pranojë çfarëdo vendimi që merr Kushtetuesja për deputetin Arifi

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria Hoti do të pranojë çfarëdo vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese për ankesën e Vetëvendosjes për kushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe votimit të deputetit Etem Arifi për qeverinë e re.

Sipas VV-së, Arifi pasi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë ka humbur mandatin dhe si rrjedhojë votimi i Qeverisë Hoti ka qenë i pavlefshëm.

“E para, prezenca e deputetëve në sallë rregullohet me Rregulloren e brendshme të Kuvendit. Sekretaria është e obligueshme t’i tregojë kryetarit apo kryetares se kjo është e mundshme apo jo. Nëse rasti ka shkuar në Kushtetuese dhe merret një vendim që s’është në favor të Qeverisë, duhet të kuptojë secili se nuk mund të kontestohet Gjykata Kushtetuese. Është e padiskutueshme. Kjo s’duhet të ndodhë kurrë. Duhet të pranohet normalisht. Duhet të mësohemi njëherë e përgjithmonë t’i ndajmë detyrat. Vendimi është obligativ. S’kemi substancë tjetër të ankimimit. Kam qenë ithtar i VLAN-it dhe kur u mor vendimi më pati lënduar, por është vendim i Kushtetueses dhe ndodhi çka ndodhi”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri e mbron taksën, reciprocitetin e quan farsë

Nënkryetari i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se taksa e vendosur nga Ramush Haradinaj kur ishte kryeministër, i ka bërë nder të madh vendit dhe ekonomisë, ndërkohë që reciprocitetin e vënë nga pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, e ka quajtur farsë.

Tahiri që vjen nga AAK-ja, në emisionin Desku në KTV, ka thënë se Haradinaj u ka bërë ballë presioneve për çdo respekt.

“Ne kemi pas një pozicion shumë të qartë edhe me taksën e edhe për reciprocitetin. Për neve instrumenti i taksës ka qenë i rëndësisë së madhe ekonomike e politike ndaj Serbisë. Kemi krijuar argumente të forta te faktori ndërkombëtar për të ndalur kështu një agjendë të ndarjes së Kosovës. Qëndrimi i kryeministrit Haradinaj për këtë temë ka qenë për çdo respekt”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, rreziku i ndarjes së Kosovës ë nuk ekziston, mirëpo shton se po të kishte fituar AAK-ja zgjedhjet nuk do ta hiqte taksën.

Tash AAK-ja është pjesë e Qeverisë Hoti që në ditën e tretë të punës hoqi reciprocitetin ndaj Serbisë, i cili ishte vënë nga ish-kryeministri Albin Kurti si zëvendësim për taksën.

“Rreziku u ndarjes më nuk eksiton, ka qenë agjendë, por tash është e paqëndrueshme. Ka qenë goxha mirë e përgatitur dhe e zier. Marrëveshja që prek çfarëdo pjese të territorit, nuk është marrëveshje e paqes, por e konfliktit. Është e tejkaluar kjo”, ka thënë ai.

Ndërkohë, për masën e vënë nga Kurti, reciprocitetin, ka thënë se ishte më shumë farsë.

“Reciprociteti ka qenë masë që e kemi vendosur me taksën, e ka pas vlerën e vet vetëm kur taksa ka qenë në fuqi, taksa është larguar pa asnjë kundërvlerë. Besimi jonë është 12 për qind, ta kishim shumicën kjo nuk do të ndodhte. Heqja e taksës e ka dëmtuar Kosovën politikisht e ekonomikisht. Reciprociteti, e kam thënë edhe më herët, ishte farsë”, është shprehur në Deskun e KOHËS, Tahiri.

Tahiri thotë se investimet kapitale në komuna nuk do të ndalen

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, ka thënë se investimet kapitale në komuna nuk do të ndalen, duke shtuar se Pako Emergjente do të vazhdojë.

Ai në emisionin DESKU të KTV-së ka thënë se rishikimi buxhetor i cili do të bëhet këtë herë, është rishikim emergjent përmes së cilit do të kryhen pagesat prej 170 eurove.

Tahiri ka deklaruar se pandemia e ka goditur ekonominë e vendit, sidomos sektorin privat, duke vlerësuar se në një situatë të tillë duhet vepruar shpejtë.

“Ky rishikim buxhetor nuk është i zakonshëm, për shkak ky është rishikim emergjent për t’i bërë pagesat prej 170 eurove. Në momentin kur ne kalojmë rishikimin buxhetor, ne mund të shkojmë me infuzionin e parë me këto 170 euro që i kemi planifikuar. Jeta që po ndodh në terren është goxha normale. Unë jam për t’i hequr të gjitha masat. Pandemia e ka goditur në esencë ekonominë e vendit, e ka goditur sektorin privat. Ne duhet që të veprojmë shpejtë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se numri i rasteve me COVID-19 është rritur, pasi është rritur edhe numri i testimeve.

Duke folur për Qeverinë Hoti, ai ka thënë se ajo është zgjedhur me shumicë jo të madhe, porse përbëhet nga partnerë të cilët, sipas tij, kanë histori politike.

Sipas Tahirit, këtë qeveri e bën kredibile besimi që e kemi marrë nga subjektet.

“Kryeministri Hoti është gjatë në jetën politike, njihet si i disiplinuar, një koleg i mirë, kishte një veti të mirë që kur ke një argument mundesh me ja ndërru mendimin”, ka thënë ai.