Tërheqjet e kursimeve pensionale nga Trusti tatimohen deri në 10 për qind

Të gjitha kategoritë e pensioneve në vend vazhdojnë të tatimohen nga shteti, ndër to edhe kontributet pensionale në Trust, edhe pse pak kush ka njohuri për këtë tatim.

Pensionistët kontribut-pagues edhe pse i kanë paguar tatimet për paga, Ligji për tatimin në paga obligon Administratën Tatimore të Kosovës që t’i tatimojë sërish pensionet. 

Normat e tatimit për pensione nga 4 deri 10 përqind janë konsideruar absurde dhe të pa pranueshme për njohësit e fushës. 

Reklama e sponzorizuar

Tatimi 10 përqind prek më së shumti ata të cilët i mbushin 65 vjet kur tërheqin këstin e parë të kontributeve nga Trusti. Për këto tatime, zyrtarë të Fondit të Kursimeve Pensionale nuk kanë dashur ta komentojnë, përveç që janë përgjigjur shkurt se kjo ndodhë për shkak të një vendimi të Administratës Tatimore të Kosovës. 

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj thotë për KosovaPress, se të gjitha pensionet, edhe ato që janë planifikuar nga Qeveria për tërheqjen e 10 përqind të kontributeve nga Trusti, para moshës së pensionimit do të tatimohen nga ATK-ja. 

Murtezaj deklaron se bazuar në Ligjin për tatimin në paga, të gjitha pensionet për të moshuarit ose individët të cilët kanë kontribuar ndër vite, pas pensionimit të tyre tatimohen, sepse është pjesë e të hyrës e cila në kohën kur është ndarë nga paga nuk është tatimuar fare.

“Sigurisht që edhe tani kur jemi në këtë fazë, në deklarimet e qeverisë, të cilët janë duke bërë përpjekje me qëllim që t’u mundësohet të punësuarve të cilët kanë kontribuar në fondin pensional të tërheqin shumën 10 përqind nga kontributet që kanë ndarë, ata në momentin që do t’i marrin mjetet do të tatimohen. Ne po flasim në përputhje me ligjin derisa nuk kemi ndonjë ndryshim të ndonjë dispozite juridike, e cila do të ndryshoj këtë proces. Por, aktualisht bazuar në ligjin aktual që është në fuqi, duhet të tatimiohen edhe ato të hyra të cilat i tërheqin nga Trusti në këtë rast kontributet prej 10 përqind”, thotë Murtezaj. 

Drejtori i ATK-së, ka treguar edhe për shkallën e tatimit për kategoritë e pensioneve dhe kontributeve në Trust. 

“Sikurse për të tatimet në të ardhura, e njëjta është edhe për pensionet. Për shumën prej 0 deri 80 euro, norma e tatimit është zero, prej 80 deri 250 euro, është 4 përqind, 250 deri 450 euro është 8 përqind, dhe mbi 450 euro norma e tatimit është 10 përqind”, thotë Murtezaj. 

Profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Hasan Prishtina”, Nagip Skënderi thotë për KosovaPress, se ky ligj i aplikuar nga ATK-ja duhet të ndryshohet, ngase është i dëmshëm për kategoritë e pensionistëve që i përkasin kategorisë sociale. 

Profesori i ekonomisë thotë po ashtu se është absurde që një pensionisti kur tërheq këstin e parë 20 përqind nga Trusti kur del në pension, që mund të jetë deri në 3 mijë euro t’i ndalen 10 përqind apo 300 euro. 

Ai po ashtu thekson se këto dispozita ligjore për këto skema pensionale, sa më parë duhet të hiqen, pasi pensionistët as gjysmën e muajt nuk mund t’ia dalin me shpenzimet e konsumit të përgjithshëm.

Skënderi: Pensionistët janë një nga kategoritë më të rrezikuara në aspektin e mirëqenies sociale

“Pagat janë të ardhura të cilat krijohen me punë, kurse pensionet tërhiqen në moshën e pleqërisë, dhe nëse kategoria e pensioneve hynë në kategorinë sociale respektivisht në kategorinë e mirë-qenies, të cilët pas aktivitetit të tyre në punës, pastaj marrin pensionet për mbijetesën e tyre, dhe konsideroj se kjo është absurde që të tatimohen pensionet, sepse pensionistët janë një nga kategoritë më të rrezikuara në aspektin e mirëqenies sociale dhe ekonomike të shoqërisë. Në këtë kontekst, mendojë që ky ligj është në kundërshtim me vlerat evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, respektivisht për faktin se pensionistët konsiderohen si një kategoritë e mbajtura nga shteti. 

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë shkurt se edhe pse nuk ka njohuri për këtë dukuri që aplikon shteti ndaj pensionistëve, kjo formë e tatimit nuk ishte dashur me ndodhë.

Sipas Rukiqit, ky është tatim i dyfishtë. 

“Nuk e kam këtë informacion në parim nuk ishte dashur me u tatimuar”, thotë Rukiqi shkurt. 

Ndërsa, zyrtarë të Trustit kanë thënë shkurt se sa i përket tatimeve për kursimet pensionale, kjo është në bazë të një vendimi nga e ATK-së. 

“Pyetjet lidhur me tatimin që ndalet për kursimet pensionale që tërhiqen në rastin e pensionimit është mirë t’ia drejtoni ATK-së, meqë kjo ndodh sipas vendimit shpjegues të Administratës Tatimore”, thotë shkurt në një përgjigje me shkrim menaxheri i zyrës për informim në Trust Jeton Demi.