Tetë kompani kosovare janë përzgjedhur të marrin pjesë në takimet B2B, në kuadër të Konferencës së 6-të ”Purchasing Initiative Western Balkans /BME Einkaufsinitiative Westbalkan”, që organizohet nga Asociacioni Federal për Menaxhimin e Zinxhirit të Furnizimit, Blerje dhe Logjistikë (BME) në bashkëpunim me Ministrinë Federale për Ekonomi dhe Energji dhe Odat Ekonomike Gjermane të Jashtme të Rajonit.
Kjo konferencë është inicuar nga Qeveria gjermane, si vazhdimësi e procesit të Berlinit për ta mbështetur zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkani Perëndimor. Ndërmarrjet gjermane, përmes kësaj iniciative, inkurajohen që furnizimet t’i bëjnë tek prodhuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Drejtoresha menaxhuese e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Nora Hasani, thotë se ky vit do të ofrojë më shumë mundësi për kompanitë e Ballkanit Perëndimor, duke marrë parasysh shkëputjet e krijuara në zinxhirët e furnizimit tek shumë kompani evropiane dhe gjermane që furnizohen në Azi.
“Ky vit do të ofrojë mundësi të arta për kompanitë kosovare, duke marrë parasysh shkëputjet që janë bërë në zinxhirët e furnizimit të kompanive gjermane, për shkak të pandemisë. Në fokus të shumë kompanive evropiane, e në veçanti gjermane, është që të gjejnë furnizues rezervë (back-up suppliers) sa më afër BE-së, për furnizimet që i kanë pranuar deri më tani nga Azia. Ndërkohë, shumë kompani kanë filluar ta konsiderojnë opsionin e ndërtimit të bazës së furnizuesve në Evropë, që të jenë më fleksibël”, thekson Hasani.
Viti 2020 shënon vitin e katërt që kompanitë kosovare nga industria e metalpërpunimit, industria e plastikës si dhe industria e automotivës/ elektronikës do të marrin pjesë në takime me blerës gjermanë.
Drejtoresha e OEGJK-së tregon se çdo vit numri i kompanive kosovare që kualifikohen për pjesëmarrje në Konferencën e BME-së për Ballkanin Perëndimor, po rritet. „Në vitin 2019 Kosova kishte vetëm tri kompani pjesëmarrëse, ndërsa këtë vit janë përzgjedhur 8, nga gjithsej 23 kompani kosovare, që kanë aplikuar për takime B2B“, thotë Hasani.
Kompanitë kosovare që do të marrin pjesë në takime B2B janë: Archtime, Art Aluminium, Automatics-KS, Eurometal, Jasin, Mikron ELD, Plastika dhe Unicron.
Prodhuesit kosovarë janë inkurajuar të aplikojnë, duke u bazuar në kërkesat dhe profilet e kërkuara nga kompanitë gjermane. Për takimet B2B kompanitë pjesëmarrëse vendore janë përzgjedhur drejtpërsëdrejti nga kompanitë gjermane.
Për shkak të pandemisë, Konferenca ”Purchasing Initiative Western Balkans /BME Einkaufsinitiative Westbalkan” dhe takimet B2B do të mbahen në mënyrë virtuale, nga data 9 deri më 22 shtator 2020.