Lamir Thaçi, zyrtar për informim i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, në “Express Intervistën” ka folur rreth sigurisë së ushqimit.
Me rastin e Ditës së Sigurisë në Ushqim ai ka thënë se është hera e dytë që festohet festa e sigurisë ushqimore për shkak të rëndësisë që ka.
“Të gjithë mekanizmat shtetërorë të fushës së sigurisë ushqimore e kanë caktuar këtë datë për sensibilizim. Siguria ushqimore fillon prej gjenetikës, bazën e ka prej fermës e deri kur të arrin në tryezat tona. Ne si autoritet kemi avancuar sa i përket kontrollit të ushqimit. Fatmirësisht kemi pasur mbështetje edhe nga mekanizmat ndërkombëtar, po ashtu edhe Qeveria i ka kushtuar një theks të veçantë që ne ta rrisim kontrollin. Sa herë që një ligj nxirret për bazë merren ato të Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij ligjet në Kosovë zbatohen jashtëzakonisht shumë.
“Sa i përket mandatit tonë ato janë të zbatueshme sepse janë të domosdoshme. Si në fushën e kontrollit kufitar edhe atij të brendshëm. Sigurinë ushqimore nuk duhet me e pa si palë, të gjithë mekanizmat kontribuojnë sepse është diçka që na prekë të gjithëve. Në këtë formë nuk ka palë, por të gjithë janë kontribuues. Të gjithë shtetet e aplikojnë masën e blerjes së produkteve vendase, por mandati ynë ligjor është se pa marrë parasyshë origjinën e produktit fillimisht ai duhet të jetë i sigurt”, ka thënë ai.
Sipas tij kontrolli kufitar zbatohet 100 për qind, kontrollohet nga inspektorët kompetentë. Kurse në atë vendas ne shtrihemi në tërë Kosovën.
“Procedura e kontrollit kufitar është standarde dhe zbatohet nga të gjithë shtetet. Certifikatat janë njëlloj pasaporte e mallrave që lëshohen nga autoritetet e origjinës së produktit, që janë garantues. Vlerësohen datat e skadencës, dhe në rastet kur dyshon inspektori dhe merr mostrën për kontrollim laboratorik. Ne nuk varemi nga lloji i produktit, por nga rreziku”, ka thënë Thaçi.
Ai thotë se fokusi ndaj disa produkteve rritet në periudha të ndryshme.
“Në pranverë rrisim kontrollin tek pemët dhe perimet. Kur analiza e rrezikut tregon se këtu është rreziku ne e shtojmë fokusin aty. Ne marrim njoftime nga EFSA dhe çfarëdo që ndodh ne e ngritim kapacitetin. Psh, ne edhe kemi larguar produktet nga vendi. Të gjitha preparatet për mbrojtjen e bimëve dhe këto përdoren në tërë botën. Lista e preparateve që lejohen në Kosovë është listë që krijohet nga Ministria e Bujqësisë. Inspektori i jonë vetëm ato preparate që janë në listë i lejon të hyjë në Kosovë. Të gjithë bujqit, se si duhet të kenë kujdesin e vet kur përdorin preparate, dhe përdorimet që duhet të bëhen gjatë trajtimit”, ka thënë ai.
Thaçi thotë se marrja e mostrave është shumë e rëndësishme, dhe testimet bëhen në laboratore.
“Ne nga të gjitha ngarkesat që i kemi marrë mostrat dhe janë testuar. Ligjet e përcaktojnë se laboratori e bën testimin. Marrja e mostrës është shkencë në vete, gjithçka duhet të bëhet sipas hapave dhe procedurave sepse edhe marrja e mostrave ndikon në rezultat. Me këto kapacitete që kemi po mundohemi që të kemi produkte mirë të kontrolluara. Edhe gjatë pandemisë kemi punuar vetëm që të kemi produkte të sigurta”, ka thënë ai.
Tutje ai ka folur edhe për numrin e vogël të inspektorëve, derisa qe një kohë kërkojnë që inspektorët komunalë të kalojnë në Agjenci.
“Tash e shumë vite ne kemi bërë kërkesën. Ligji i ushqimit e përcakton që ata të kalojnë në Agjencinë e Ushqimit. Transferimi i inspektorëve ka mbetur peng i konflikteve ligjore. Në momentin që inspektorët të transferohen nga ai lokal në Agjenci, atëherë transferohen edhe pagat e tyre. Mostransferimi i inspektorëve është njëra ndër vërejtjet që kemi marrë”, ka thënë Thaçi.
Ai thotë se pas pandemisë fokusi ishte në çerdhe, porse edhe në gastronomi.
“Duhet të jetë një autoritet që e merr përgjegjësinë për produktet. Përveç kontrollit në terren duhet të kenë edhe mekanizma mbështetës. Ne kemi kontrata me të gjitha laboratorët brenda vendit, por edhe me ato jashtë vendit kur nuk kemi kapacitete. Nga dita e parë e pandemisë ne kemi punuar në vazhdimësi për të ruajtur sigurinë ushqimore dhe i kemi mbikëqyrë. Në javën e parë (pas hapjes) fokusi ka qenë në hapjen e çerdheve, e në gastronomi kemi kërkuar që inspektorët komunalë ta bëjnë këtë”, ka thënë Thaçi.