Bruksel, 2 qershor – Një thirrje, tashmë e nënshkruar nga më shumë se një milionë persona, kërkon një buxhet prej 500 miliardë euro në vit për të financuar Paktin e Gjelbër europian, i kërcënuar nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e COVID-19.
“Me tre zgjidhje, ndërprerjen e subvencioneve dhe investimeve në energjitë fosile, një bankë e vërtetë për klimën dhe një buxhet klimatik real, ne mund të mobilizojmë më shumë se 500 miliardë euro në vit”, theksuan nënshkruesit e kësaj thirrjeje të lëshuar për drejtuesit e Bashkimit Europian, dy javë para një samiti të kushtuar shqyrtimit të një projektplani për rimëkëmbjen masive të ekonomisë europiane.
Prezantuar nga Komisioni Europian javën e kaluar, plani parashikon një kapacitet huazimi prej 750 miliardë euro për katër vite për të riforcuar një buxhet prej 1 100 miliardë eurosh për periudhën 2021-2027.
“Ai duhet të lejojë kanalizimin e burimeve të reja për Paktin e Gjelbër dhe digjitalizimin, dy përparësitë e BE-së”, theksoi presidentja e ekzekutivit europian Ursula von der Leyen.
“Nëse BE ka tashmë një propozim për një plan rimëkëmbjeje, në këtë fazë është vetëm një bazë për negociata. Shumë pak garanci janë dhënë për rimëkëmbjen e “gjelbërimit” dhe është e qartë se për të gjetur një konsensus, do të jetë e nevojshme të bien dakord për krijimin e burimeve të reja të veta për buxhetin europian, pa peshuar shumë mbi buxhetet kombëtare”, nënvizojnë ata në një komunikatë/AFP.