Tri prioritetet e Zemajt

Tri prioritetet e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, janë ruajtja e shëndetit publik, ruajtja dhe ringritja e profesionistëve si dhe luftimi i korrupsionit brenda institucioneve.

Pika e parë ka të bëjë me menaxhimin e pandemisë, e dyta me profesionistët që janë të papunë, ndër ta edhe 120 mjekë specialistë e nga të cilët po përfitojnë shtetet evropiane, dhe e treta luftimi i korrupsionit, ku tha se duhet edhe ndihma e komunave.

Zemaj premtoi se shumë nga problemet me të cilat përballet shëndetësia në Kosovë, për kohë të shkurtër do të eliminohen.

Reklama e sponzorizuar

“Çka më bën mua të sigurt dhe të fuqishëm në këtë kohë, jo vetëm pse është pandemia, është se shëndetësia është një prej prioriteteve të Qeverisë Hoti. Kjo s’më lejon të merren me të kaluarën. Kam filluar në mënyrë proaktive. Problemet t’i shtrojmë në një rrafsh tjetër, jam i gatshëm t’i dëgjoj profesionistët për çfarëdo ideje apo halli në shëndetësi, çfarë duhet është t’i fusim në një lloj ombrelle. Gjendja nuk është e mirë, po flas për strukturën. Gjendja dhe kërkesat janë të ndryshme, shumica e pozitave në MSH dhe në agjenci, janë me ushtrues detyre, paramendoni me vite të tëra lejohet apo sanksionohet të jetë ushtrues detyre. Pse po e them, pasi për 3-4 vjet nuk e di nëse do të mbetet aty ku është, është rritje e përgjegjësisë, mund të thotë pse ‘unë të marrë vendime kur nuk e di nëse do të mbetëm udhëheqës’”, ka thënë Zemaj në emisionin “Desku” në KTV.

Kërkesat e profesionistëve shëndetësorë që nuk janë përmbushur nga qeveritë e kaluara Zemaj premton se do të përmbushen për një kohë të shkurtë.

“Këto probleme që ju po i ngritni nuk do të jenë probleme të profesionistëve shëndetësorë dhe të qytetarëve të vendit. Në një periudhë jo të gjatë kohore këto nuk do të jenë problem i shëndetësisë në Kosovë. As laboratorët, as shërbimet, as decentralizimi i klinikave, as fuqizimi i qendrave rajonale, as shpërndarja e ekspertëve nëpër këto qendra, as mbulueshmëria me specializantë dhe me specialistë, dmth këto nuk kanë me qenë temë”, ka thënë Zemaj.

Ai thotë t’i ketë dëgjuar sot të gjithë personat që ndërlidhen me sistemin shëndetësor.

“Specialistët sot i kam dëgjuar të gjithë, i kam dëgjuar edhe odat, sindikatën, federatën, i kam dëgjuar të gjithë. Ato çfarë i kam dëgjuar, për një qeveri serioze dhe për një ministër i cili dëshiron ta ushtrojë mandatin pa ndikim dhe vullnet janë të realizueshme”, ka thënë Zemaj.

Megjithatë, ai ka theksuar se për projektet e mëdha duhet një përkrahje më e madhe nga të gjithë, porse thekson se nuk janë as ato të parealizueshme por për to duhet kohë më e gjatë.

Zemaj: Kryeministri bartës i dialogut, të tjerët mund të kontribuojnë

Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë, ka thënë se kryeministri është bartës i dialogut me Serbinë, ndërsa krerët tjerë janë bartës kushtetues, “që mund të kontribuojnë”.

Zemaj ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti do të udhëheqë dialogun dhe se nuk është presidenti Hashim Thaçi ai që do t’i prijë përfaqësimit. Sa i përket pikës në programin e Qeverisë Hoti, ku përmendej presidenti “që përfaqëson vendin në bazë të kompetencave kushtetuese”, që dallonte si pikë nga ish-qeveria, Zemaj ka thënë se ky është interpretim kushtetues.

“Kushtetuta ka përcaktuar rolin e çdo institucioni dhe secilit bartës. Edhe në raport me politikën e jashtme. Këtu edhe për dialogun sepse ne shkojmë si shtet, pavarësisht si i qaset Serbia. Ne duhet të jemi detyrues ndaj Kushtetutës sonë, ligjeve dhe Kuvendit. S’e shoh si detaj që komplikon pjesën e dialogimit”, ka thënë Zemaj që ka shtuar se kjo pikë qartëson pozicionin kushtetues të presidentit në raport me bartësit ekzekutivë.

“E dëshmoi edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që jemi sistem i pastër parlamentar me disa kompetenca të shtuara për presidentin e shtetit, edhe pse ata nuk i dhanë fuqinë ekzekutive gjithçka barti te Kuvendi i Republikës. Ndërsa sovraniteti ekzekutiv i Kuvendit u bart te qeveria dhe për këtë arsye bartës i dialogut është kryeministri. Të tjerët janë bartës kushtetues, janë kategori kushtetuese të cilat në një pozicion sensitiv si dialogu, mund të kontribuojnë nga pozicioni i tyre dhe qasja konstruktive, qoftë kryeparlamentarja, qoftë edhe partitë opozitare, që mendojnë se është normale të jenë të përfshirë”, ka deklaruar tutje ai.

Ai ka thënë se parimet e Qeverisë Hoti për dialogun me Serbinë janë pika sikur ato në rezolutën që ishte propozuar nga opozita e mëparshme, e përbërë nga LDK-ja dhe Vetëvendosje. Zemaj ka thënë se i mbështet parimet e Qeverisë që “integriteti territorial është i panegociueshëm; marrëveshja duhet të garantojë që organizimi kushtetues i Kosovës nuk negociohet; dhe se marrëveshja duhet të jetë në frymën e aktit më të lartë juridik”.

Në Deskun e KOHËS, anëtari i LDK-së është shprehur se e ka përkrahur edhe masën e reciprocitetit në të kaluarën, por ka shtuar se ajo u “kthye në pengesë”.

“Kjo është pothuajse rezoluta që tentonte ta kalonte opozita e atëhershme. Vijat e trasha të parimeve të dialogut që i ka paraqitur Qeveria Hoti. E mbështes sidomos te mosprekja e kufijve”, ka thënë ai. “Për reciprocitetin, ka qenë vendim që edhe në atë kohë, jo me qasjen se si është marrë, por për shembull personalisht edhe pse ishim opozitë, isha në mesin e deputetëve në përkrahje të reciprocitetin. Në momentin kur reciprociteti u shndërrua në pengesë dhe na vuri në stad tjetër edhe të ndikimit të barrierave të tepërta ekonomike dhe vështirësoi jetën e qytetarëve edhe në aspektin politik dhe ndërkombëtar, dhe izoloi Republikën, arsyeshmëria kaloi në nivel tjetër dhe sot jemi në gjendje tjetër. Besoj se subjektet politike kanë të drejtën të luajnë edhe me fjalë, por tri qeveri e kanë pa natyrën si duhet të udhëhiqet dialogu. S’është e re për LDK-në dhe partnerët qeverisës. Ajo që duhet është krijimi i unitetit nacional rreth dialogut. Aty do ta mbështes dhe ndihmoj me fuqinë time”.

Zemaj: Në shëndetësi do të ndryshojë qasja menaxheriale dhe llogaridhënia

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se në sistemin shëndetësor në Kosovë do të ndryshojë qasja menaxheriale dhe llogaridhënia.

Ai gjithashtu ka folur edhe rreth amandamentimit të Ligjit për Menaxhim të Financave, për të cilin është optimist se do të përkrahet në Kuvend.

“Mungesa e një ligji të tillë ka qenë e pamundshme për menaxhimin e mjeteve financiare edhe nga Qeveria e kaluar. Ka opinione të ndryshme për shfrytëzimin e këtyre mjeteve buxhetore. Kuvendi e ka të domosdoshëm që ky ligj nesër të marrë votën pro”, ka thënë Zemaj. Njëra ndër kreditë lidhet edhe me kapacitetet dhe me luftën që janë dedikuar anti COVID. Nuk e di gjendjen që ka qenë në komision, por vota kundër aty nuk e ndalon që kjo të shkojë në seancë plenare Kuvend. Besoj, sepse është e kuptueshme që ky ligj duhet të kalojë dhe t’i jepet mundësia edhe rishikimeve të tjera buxhetore”.

Ai ka thënë se nuk duhet të vazhdohet kjo gjendje në sistemin shëndetësor, derisa ka premtuar qasje tjetër dhe llogaridhënie.

“Sot ka qenë shumë shqetësuese kur kam dëgjuar përfaqësues të Odave të Mjekëve, të klinikave që janë tepër të prekura nga kontakti fizik dhe që kanë pasur mungesë të mjeteve elementare të përkrahjes gjatë kësaj periudhe dhe paramendo që nëse lejojmë shëndetësisë në këtë kohë vazhdohet me një qasje të tillë. Aspekti menaxherial dhe ai i llogaridhënies do të ndryshojnë. Shëndetësia është prioritet i Qeverisë”, ka thënë Zemaj.

Ai thotë se gjëja e parë që do të bëjë është që të pastrojë sistemin shëndetësorë dhe pjesë të saj s’do të jenë personat që kanë probleme me ligjin.

“Asnjë njeri me aktakuzë, asnjë person që është i veshur me pozitën administrative shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në krejt instancat shëndetësore në Republikën e Kosovës nuk do të jetë pjesë derisa unë jam ministër nëse ka konflikt me ligjin”, ka thënë Zemaj.

Zemaj: I takon Osmanit t’i vlerësojë pozicionin dhe qasjen brenda LDK-së

Ministri i Shëndetësisë dhe zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, është shprehur i rezervuar kur është pyetur në lidhje me çështjen e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, që kohët e fundit ka kritikuar dhe është kritikuar nga partia – LDK-ja.

Zemaj ka shprehur respektin e tij për Osmanin dhe tha se qëkur ka marrë postin e ministrit nuk është marrë me punët e partisë, por ka thënë se i takon Osmanit që të vlerësojë pozicionin e saj brenda partisë.

“Prej momentit qe kam shkel në zyrat e MSH-së, as s’kam pas mundësinë të takohem e as të bisedojë me ndonjë zyrtarë të LDK-së rreth temave dhe zhvillimeve”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Zemaj tha se në LDK lejohet mendimi ndryshe. Tha se edhe ai vetë ka pasur mendim të kundërt në disa raste me strukturat udhëheqëse.

“Është toleruar mendimi ndryshe gjithnjë, edhe atëherë kur është votuar kundër qëndrimeve të Kryesisë, edhe unë kam votuar kundër. Zonja Osmani duhet të vlerësojë vetë pozicionin dhe qasjen brenda LDK-së, ajo personalisht është pjesë e mekanizimit udhëheqës, është nënkryetare. Shpesh herë nëse ka diçka duhet të tejkalohet, me sa kam parë unë nuk është diçka ideologjike”, ka thënë Zemaj.

Ai tha se Osmani gëzon respektin e tij.

“Është e respektuar, si grua pikë së pari. Është kulturë për qytetarët dhe elektoratin e LDK-së. Për këtë jemi partia e vetme pjesë e familjes popullore evropiane. Kjo është përgjegjësi shtesë për zonjën Osmani dhe strukturat e LDK-së”, tha Zemaj.

Qeveria Hoti mes ndryshimit të Ligjit për Sëmundje Ngjitëse dhe ligjit të veçantë për pandeminë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se ka bërë gati plotësim/ndryshimin e Ligjit për Sëmundjet Ngjitëse, por edhe propozimin për një ligj të ri, të veçantë për pandeminë.

Sipas tij, qeveria e re është duke e vlerësuar strategjinë legjislative. Duke folur për kërkesën e Gjykatës Kushtetuese që të ketë ndryshime në Ligjin për Sëmundjet Ngjitëse dhe propozimin e kryeparlamentares Vjosa Osmani për një ligj për Pandeminë, Zemaj ka thënë se ka përfunduar propozimet për ligjet bazike “për avancimin e shëndetësisë”.

“E kam pa iniciativën e kryeparlamentares. Kam biseduar personalisht edhe me zonjën Osmani. Jemi në vlerësim të strategjisë legjislative. Atë kohë ka qenë ndër pikat me të cilat i ishte adresuar Kuvendit që të kemi ligj që ndryshon dhe plotëson Ligjin për Sëmundjet. Ka pas iniciativa që të kemi edhe ligj të veçantë vetëm për pandeminë COVID-19. Me stafin personal kam përfunduar propozimet për ligjet bazike që unë dhe programi insistojmë avancimin e shëndetësisë. Ne kemi përcjellë si projekt-propozime edhe plotësimin për Ligjin për Sëmundjet Ngjitëse apo qoftë nëse do Qeveria të shkojë në Kuvend propozimi për ligj të veçantë për pandeminë”, ka thënë Zemaj në Deskun e KOHËS.

Ai ka thënë se kur ishte propozimi i kryeparlamentares Osmani për ligjin për pandeminë, “Qeveria ishte në shkarkim dhe Kuvendi s’ka pasur mundësi edhe po të dëshironte që ta përcillte te një qeveri që s’kishte mandat që të raportonte e të kthente legjislacion”.

“Ideja për dokumentin në fjalë, por si ide dhe ajo e ekspertëve ka qenë që të interferohet dhe të ketë ndryshim ky ligj sepse janë paraqitur mangësi. S’dua të paragjykoj, por nëse një qytetar pretendon se ka dëshmi që i është shkelë e drejta e lirisë mund t’i padisë institucionet e ajo mund të arrijë deri tek ai që ka dhënë urdhrin. Unë s’hy në ato lojëra pa pasur siguri ligjore”, ka thënë tutje ai.

Zemaj thotë se ka gjetur konflikte ligjore lidhur me zbatimin e masave të izolimit

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se ka gjetur konflikte ligjore lidhur me zbatimin e masave të izolimit si mënyrë për të parandaluar shpërndarjen e koronavirusit në Kosovë.

Ai ka thënë në Deskun e KOHËS, se asnjë nga institucionet e vendit nuk mund të dalë përtej kompetencave të tyre ligjore, duke theksuar se edhe pyetja e një polici duke iu afruar qytetarëve se pse s’ka maskë është konflikt ligjor.

“I kam gjetur dy gjëra me të cilat po përballemi vazhdimisht. E para lehtësimi i menjëhershëm i masave e dyta ishte dalja e qytetarëve, apo njëfarë fluksi a çlirimi që ka kaluar në diçka të pakontrolluar në aspektin individual. Ne kemi thirrur edhe konferencë që s’ka rast që mund të na çojë në panik, por duhet respektuar masa. Dhe tjetra që për të respektuar këto masa, kam gjetur plot konflikte ligjore. Drejtori i Policisë me profesionalizëm thotë se do të asistojë aty dhe kudo sipas normave ligjore në fuqi. Njëjtë edhe nga Prokuroria. Askush s’mund të dalë përtej kompetencave të tyre ligjore. Kur një polic i afrohet një qytetari për ta pyetur pse s’ka vendosur maskë atëherë ne hyjmë në konflikt ligjor. Kjo është mënyra e edukimit. Duhet të mësohemi me këto masa e të përballemi me këto masa. Të ruajmë vetveten”, ka thënë ai.

Se a mund të ketë rikthim të masave të izolimit, pas shtimit të rasteve të reja me koronavirus, ministri Zemaj ka thënë se kjo kërkon analizë të thellë.

“Nuk jam ithtar i asaj që ne tashmë të kalojmë me imunizim edhe me pandeminë. Do ta luftojmë çdo ditë. Institucionet janë në shërbim të luftimit të pandemisë. S’mund të them pa analizë të qartë. Para se të vij këtu mora raport detal dhe diskutova edhe me Naser Ramadanin, saktë se si po rrjedh mënyra e infektimit. Dje kishim gjashtë, por s’e morëm atë gëzimin që të dalim me pompozitet sepse s’jam i interesuar për atë formë pune. Për mua është problem që ta avancojmë edukimin e njerëzve e të mbrojmë personelin shëndetësor e të ecim drejt edukimit të institucioneve nëse vazhdojmë me masa lehtësuese”, ka shtuar Zemaj.

Zemaj: Heqja e vetizolimit, e detyrueshme, mbi 13 mijë qytetarë kanë hyrë në Kosovë për 3 ditë

Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se heqja e masës së vetizolimit ishte e detyrueshme për shkak të kapaciteteve të vogla të Kosovës, por edhe fluksit të madh të qytetarëve.

Ai ka treguar për përvojën e tij sa i përket shëndetësisë.

“Ndoshta edhe ju e quani befasi sepse profilet diskutohen edhe në aspektin politik. Pjesa tjetër ndërlidhet me kohën e gjatë që kam qenë në Kuvend. Puna ime ishte në disa funksione që më shumë iu adresuan legjislacionit, por e harruat se kam qenë edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi, 2008-2010. Puna e Kuvendit është dinamike, politike, s’do të thotë se nuk adresohen profilet profesionale”, ka thënë ai. “Sa i përket punës sime në Kuvend. Lidhet edhe me angazhimin profesional”.

Megjithatë, ai synon që ta shtojë efikasitetin sa i përket sistemit shëndetësor.

“Është pjesa më e mirë e punës dhe përkushtimit tim, mbi çështjen edhe programore se si duhet të avancohet një sistem shëndetësor, por mbi të gjitha edhe struktura organizative brenda Ministrisë së Shëndetësisë, brenda asaj që quhet shëndetësi primare deri te ajo terciale”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka thënë se heqja e masave ishte vazhdimësi e qeverisjes së kaluar dhe kjo është bërë me rekomandimet nga IKSHPK-ja.

“Asnjë lehtësim të masave nuk e kam marrë para masave që i ka ndërmarrë Qeveria e kaluar. E vetmja masë, kufizimi nga ora 9-5 nuk ka qenë masë e respektuar. Faza e tretë ka nisur përnjëherë. Njerëzit tërësisht janë liruar”, ka thënë Zemaj.

Kurse sa i përket masës së vetizolimit pas hyrjes në Kosovë përmes pikave kufitare të vendosur nga Qeveria Kurti, Zemaj, thotë se ajo masë as nuk ka qenë e mbikëqyrshme as e respektuar.

“Vetëm në tri ditët e para kur kam ardhur ministër ka pas një fluks prej 13 mijë bashkatdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë dhe iu rekomandohet që të futen në vetizolim, ne duhet t’i kemi 25 mijë policë ose 5 mijë inspektorë që duhet ta përcjellin këtë dinamikë që është e pamundshme”, ka thënë Zemaj.

Dhe për këtë janë detyruar që ta heqin këtë masë.

Ai ka paralajmëruar se do të angazhojnë edhe 200 profesionistë shëndetësorë në fund të kësaj jave.

Kurse për rritjen e rasteve me COVID-19 në Kosovë ai thotë e ka ndodhur për shkak të mosdisiplinës, derisa ka lavdëruar punëtorët shëndetësorë për punën që kanë bërë, duke përmendur këtë edhe ish-ministrin Arben Vitia.

“Këto janë raste kontakti dhe nuk ka ndonjë rrezik. Nuk kam pas mundësi falënderimi ndaj ministrit të kaluar, sepse nuk më është dorëzuar detyra nga Arben Vitia, kurse detyra më është dorëzuar nga administrata. Duhet të ngritim paralele me zhvillimet në rajon. Nga festa e Bajramit ka pasur një mosdisiplinë. E kemi rastin e Vushtrrisë që një person ishte i infektuar dhe pastaj janë infektuar familjarët e tjerë. Edhe në Prishtinë është pjesë e mosdisiplinës familjare”, ka thënë Zemaj.