Bregdeti shqiptar pritet të jetë sivjet destinacioni kryesor i kosovarëve për t’i kaluar pushimet verore.
Operatorë turistikë nga Kosova dhe Shqipëria thonë se pandemia e ka dëmtuar rëndë turizmin, por presin fluks të kosovarëve në bregdetin “më të afërt”, për shkak të vështirësive që janë krijuar, duke filluar nga fluturimet, në destinacione si Turqia etj.
Agjencia turistike “Fibula Air Travel”, bashkë me resortin “Te Stela” afër Tiranës, janë gati të presin pushuesit nga Kosova.
Shpëtim Turku, pronari i “Fibulës” në Kosovë, thotë se sektori i turizmit është direk i goditur nga pandemia dhe do të ketë vështirësi për rimëkëmbje.
“Do të duhet kohë për rimëkëmbjen e turizmit. Por, ne kemi filluar dalëngadalë me hapjen e kufijve, fillimisht me hapjen e turizmit rajonal, dhe pastaj do të vazhdojmë me destinimet tona që i kemi për Antalia”, thotë Turku, për Ekonomia Online.
Ai thotë se për pushuesit kosovarë, këtë verë, kanë përgatitur oferta me çmime të volitshme e shërbime nga më cilësoret në bregdetin shqiptar, duke filluar nga Gjiri i Lalëzit, hotele në Durrës, Golem, Vlorë dhe Sarandë.
“Për pushuesit nga Kosova, sivjet do të ketë risi. Nuk do të shfrytëzohet vetëm resorti ‘Te Stela’, që është afër Tiranës, por do të shfrytëzohet edhe plazhi te Gjiri i Lalzit. Do të jetë ditor, pra do të shkojmë me autobus dhe do të kthehemi”.
Turku thotë se çmimet nuk do të shtrenjtohen, përkundrazi do të kenë në dispozicion paketa nga më të ndryshmet e që do të jenë të favorshme për pushuesit.
“Pushuesit kosovarë gjithmonë e kanë pasur Shqipërinë të preferuar, por sivjet presim të jetë numri më i madh. Është më lehtë i hip makinës, vjen edhe kthehesh. Do të ketë oferta të ndryshme, si paguaj 6 net e rri 7 ditë, pra faktikisht i bjen 15% ma lirë për natë për person”.
Por, edhe për në bregdetin turk pritet që fluturimet të nisin në fillim të korrikut. “Sezoni ka pasur të nisë më 19 maj, tani presim më 5 korrik”.
Ai tregon çka do të ndodhë me rezervimet që janë bërë më herët. Sipas tij, pak veta i kanë anuluar pushimet, shumica i kanë shtyrë.
“Iu jepet një ‘vaucher’ që mund të shfrytëzohet deri me 31 dhjetor 2021. Çmimet ndryshojnë në maj, në korrik ose në gusht… Por ne mundohemi që ata që kanë pasur të shkojnë në maj ose qershor, me çmime të njëjta të shkojnë në korrik dhe gusht”.
Martin Gjonaj, menaxher i “Te Stela Resort”, thotë se sektori i turizmit është më i prekuri, për shkak të mbylljes së lëvizjes së njerëzve gjatë muajve të pandemisë Covid-19.
“Prej pandemisë është prekur e gjithë ekonomia, por në veçanti sektori i turizmit dhe hotelerisë, për arsye të ndalimit të lëvizjes së klientëve si brenda vendit, por edhe jashtë kufijve, sidomos me Kosovën”, thotë ai, për Ekonomia Online.
“Situata ka nisur avash-avash të normalizohet, pra kemi rritje të numrit të klientëve, megjithëse jo sa kemi çdo vit. Prishtshmëritë janë shumë pozitive, sidomos me tregun kosovar. Kjo edhe falë bashkëpunimit që kemi me agjenci turistike, mes tyre ‘Fibulën”.
Madje, Gjonaj parashikon që në muajt në vazhdim mund të ketë më shumë pushues kosovarë se viteve të kaluara, për arsye edhe të mos-hapjes së kufijve me pjesën tjetër të Evropës, ku ka ende protokolle sigurie. “Dhe mund të përfitojmë nga lëvizja mes dy vendeve tona, për të rikuperuar humbjet 2-3 mujore prej Covidit”.
“Fibula Air Travel” fundjavën e shkuar ka organizuar një udhëtim me gazetarët nga Kosova, për të prezantuar ofertat e saj në Shqipëri.
Harisa Hoxha, agjente e shitjes në “Fibula” thotë se kanë dashur që “ta thyejnë akullin” pas muajve të vështirë shkaku i pandemisë. “Me tregu që veç kemi filluar me u mësu një farë mënyre me virusin. Edhe me fillu sezonin e verës”, shprehet Hoxha.
Ajo më tej ka thënë se presin që nga 5 korriku të nisin fluturimet për të filluar me aranzhimin e pushimeve për në Turqi. Hoxha ka dhënë detaje edhe për shtyrjen e pushimeve dhe mundësitë që ofron kompania për pushuesit.
“Fibula Air Travel ka një herë në javë fluturime për Turqi… Po presim që me 5 korrikut të fillojnë fluturimet. Ka pasur shumë anulime por e mira është se njerëzit kanë filluar me u mësuar edhe me vazhdu rezervimin ose me e shty për vitin 2021. Me një urdhëresë që ka ardhur, atyre që kanë rezervuar iu jepet një lloj ‘vaucheri’ dhe ata kanë me mujtë me shfrytëzu për çfarëdo nevoje të tyre në ‘Fibula Air Travel’, deri në fund të vitit 2021”.
Bujar Jeshili, pronar i kompleksit “Mateo” në Gjirin e Lalëzit, thotë se vazhdimisht kanë pasur kërkesa për fillimin e sezonit turistik.
“Kemi një hotel prej 26 dhomash, kemi resortin në bregdet, 150 komplete çadrash, restorantin. Operojmë në mënyrë perfektë në çdo sezon turistik. Kemi shumë klientë nga Kosova dhe nga diaspora”.
Pavarësisht pandemisë, Jeshili pret që ky vit të sjellë më shumë pushues në Gjirin e Lalëzit.
“Me klientët po fillojmë tani rishtas. Shpresoj që të kemi shumë klientë. Ky vit do të jetë një vit ‘boom’ për ne. Askush deri më sot nuk kanë bërë pushimet e veta. Në krahasim me vitet e kaluara është vonuar sezoni, por do jetë një prurje shumë e madhe. Telefoni nuk pushon një sekondë, kur po fillon, kur po fillon. Erdhi dita me filluar ishalla”, shprehet ai.
Lokalet hoteliere është dashur të bëjnë përgatitje dhe të marrin masa mbrojtëse kundër përhapjes së Coronavirusit.
Martin Gjonaj nga “Te Stela Resort” thotë se kjo iu ka shkaktuar shpenzime shtesë për mjete higjienike, maska e doreza, tavolinat duhet t’i reduktojnë etj. “Por ky nuk është problemi kryesor, me rëndësi është kthimi i klientëve”.
Celestina Kadria, kamariere në kompleksin “Mateo”, thotë se ka filluar punën më 1 qershor, por deri më tani nuk ka pasur numër të madh të pushuesve.
Ajo thotë se mbajtja e maskave dhe dorezave është pak e bezdisshme. “Por kur bëhet fjalë për sigurinë nuk kemi ç’të bëjmë, nuk ka mundësi tjetër”.
Pensionisti Ndue Kola, kishte ardhur bashkë me familjen nga Tirana, thotë se pushimet do t’i bëjë sikurse edhe vitet e kaluar pavarësisht përhapjes së Coronavirusit.
“Sapo kemi filluar dje, pushimet do t’i bëjmë siç i kemi bërë vitet e tjera pavarësisht nga mundësitë që janë krijuar në lidhje me pandeminë e Coronavirusit”.
“Besoj që në mënyrë graduale do të vijnë duke u rregulluar gjërat sepse edhe nga gripi nuk mund të pezullohemi që të mos bëjmë pushime”.
Ai thotë se në çmime nuk kanë vërejtur se ka ndryshime. /EO/