Janë 150 mijë nënshkrime të cilat janë mbledhur deri tash nga qytetarët e Kosovës, të cilët po kërkojnë zgjedhje të reja. Tash e pesë ditë, janë vendosur më shumë se 22 tavolina në kryeqendër, ku qytetarët po kanë mundësi për të dhënë nënshkrimin e tyre ne peticionin ” Duam Zgjedhje”.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli thotë se tashmë janë shpërndarë në të gjitha lagjet e komunave të Kosovës.
Ndërkohë thekson, se sot në pikën ku janë vendosur tek sheshi “Nënë Tereza”, ka pasur interesim të madh të qytetarëve.
“Për këto ditë të cilat jemi në terren janë diku 150 mijë nënshkrime. Ndërsa sa kemi mbledhur sot nuk dihet, por kjo kuptohet në fund të ditës kur me fletat ku janë nënshkruar qytetarët. Sepse jemi këtu me tri tavolina. Ndërsa jemi të shpërndarë në të gjitha lagjet e komunës së Prishtinës, njëjtë edhe në qytetet tjera”, thotë Pacolli.
Pacolli thotë se Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka organizuar shumë peticione, por për këtë në kërkim të mbajtjes së zgjedhjeve të reja, po vërehet interesim shumë i madh.
“Ne kemi mbledhur edhe peticione tjera në të kaluarën, por për dallim nga peticionet tjera, interesimi është tejet i madh. Dhe po shohim që disponimi i qytetarëve është për zgjedhje të reja. Qytetarët ndihen të tradhtuar, ndihen te len anash. Po ashtu e konsiderojnë që Kosova po shkon drejt një sistemi diktatorial”, shton ajo.
Deputetja opozitare thekson në intervistën për KosovaPress se kanë filluar shpërndarjen edhe në shumë lagje.
“Sot në lagjen ‘mati 1’, jemi në dy pjesë, në sy hapësira të lagjes edhe kështu vazhdojmë në lagje tjera. Varësisht prej interesimit vendosim edhe tavolinat”, thekson Pacolli.
Lëvizja Vetëvendosje ka nisur që nga pasditja e së shtunës një peticioni online, ku po kërkon zgjedhje të reja.
Me këtë peticion LVV-ja po e kundërshton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaçi për mandatarin për ta formuar qeverinë e re pas mocionit që e rrëzoi Albin Kurtin në muajin mars 2020. Qeveria në krye me Avdullah Hotin është votuar të mërkuren.