Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë thirrje për kujdes tek qytetarët për shkak se koronavirusi COVID-19, është akoma prezent.
Ai thotë se nëse nuk qytetarët nuk u përmbahen rekomandimeve të dhëna me një disiplinë të madhe, mund të shfaqen raste të reja dhe kështu ta mbingarkojnë sistemin shëndetësor me pasoja të paparashikuara dhe rrezikim të drejtpërdrejt të jetës së qytetarëve.
“Duke qenë se situata epidemiologjike ditët e fundit paraqitet me rritje të rasteve pozitive dhe nuk është stabile në disa komuna të Kosovës, kërkojmë që të zbatohen me përpikëri rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Akoma nuk ka kaluar rreziku, andaj pakujdesia e disa qytetarëve në moszbatimin e masave mund të shtojë rrezikun e përhapjes së infeksionit nga virusi SARS CoV-2”, ka thënë Zemaj, në deklaratën publikuar për media.
Ai thotë se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kërkojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse, duke respektuar në mënyrë strikte distancimin fizik, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e ambienteve shtëpiake dhe të punës, për të pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe për të shmangur përhapjen e virusit brenda hapësirave të mbyllura.
“Situata epidemiologjike është duke u monitoruar në vazhdimësi, me angazhime për të mos lejuar përkeqësimin, që do të na detyronte të kthehemi prapa dhe të marrim masa shtesë në parandalimin e pandemisë që do të nënkuptonin edhe ndalesat e disa veprimtarive që tashmë janë hapur dhe po funksionojnë normalisht, gjithmonë të obliguar që të zbatojnë rekomandimet e IKSHPK”, thotë ministri i Shëndetësisë Zemaj.
Zemaj shton se të gjithë ata që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të kenë bërë paraprakisht testin në COVID-19 ose të vetizolohen për 7 ditë duke qëndruar në shtëpi, duke iu shmangur kontakteve me të afërmit dhe duke mbajtur distancën dhe higjienën personale.
“Çdo shkelje e këtyre rregullave do të ishte rrezikim i shëndetit të tjerëve që është e ndaluar edhe në bazë të Ligjit për parandalimin e dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Zbatimi i rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike duhet të mbikëqyret nga organet e rendit dhe inspektoratet në terren dhe do të merren masa ligjore për të gjitha rastet e moszbatimit të këtyre rekomandimeve”, thotë tutje ministri Zemaj.