Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, me anë të një video i është drejtuar qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së dhe Manualin e Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19
Zemaj ka theksuar se shtimi i rasteve ditëve të fundit ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të këtyre rekomandimeve.
“Normalizimi i jetës së qytetarëve të Kosovës, është qëllimi kryesor i punës tonë në këtë kohë. Virusi është akoma prezent dhe ajo çka duhet të bëjmë është të adaptohemi me realitetin e ri. Për të na ndihmuar ne, stafit shëndetësor dhe të gjithë atyre që kujdesen për shëndetin tuaj, ju lutem respektoni masat mbrojtëse. Edhe në Kosovë këto ditë kemi shtim të rasteve me Covid-19 dhe kjo po vjen si pasojë e mosrespektimit të rekomandimeve të IKSHPK-së”, ka thënë Zemaj.
Ai tutje ka theksuar se nëse nuk respektohen masat ka rrezik të mbingarkohet sistemi shëndetësor.
“Rreziku është se nëse nuk i respektojmë masat mbrojtëse të mbingarkohet sistemi shëndetësor, të rëndohet puna e mjekëve dhe infermierëve.Ne dhe qeveria e Kosovës do të bëjmë çmos që të mos ketë rikthim të masave të izolimit. Zgjidhja jonë e vetme është që të zbatojmë Manualin e Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtjen nga përhapja e Koronavirusit”, ka deklaruar Zemaj.