Prishtina është komuna e cila për disa ditë është duke prirë me numrin më të madh të rasteve të reja me koronavirus.
Numri i madh i banorëve, por edhe mosrespektimi i masave nga ana e qytetarëve, ka bërë që kryeqyteti të jetë vatra më e madhe e pandemisë thuajse tërë qershorin.
Vetëm të enjten, 44 nga 73 rastet e reja, ose 60 për qind e tyre, janë regjistruar në kryeqendër, raporton KOHA.
Rritja e numrit të rasteve në kryeqytet ka filluar qysh nga qershori, kur edhe kishte nisur faza e tretë e lehtësimit të masave.
Nga 85 raste sa kanë qenë në fund të majit, numri i rasteve pozitive më dy korrik ka arritur në 745.
Njësoj është rritur edhe numri i rasteve aktive, ku nga 17 sa kanë qenë më 28 maj, tani janë 570. Prej 1 mijë e 302 rasteve aktive në Kosovë, 570 ose 43 për qind janë në Prishtinë.
Sipas Drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, tashmë nga rastet është përfshirë i gjithë qyteti. Por ai ka veçuar disa lagje, ku ka thënë se numri i rasteve aktive është më i madh.
Sipas Gashit, në rritje të numrit të të infektuarve në kryeqytet ka ndikuar mosrespektimi i rekomandimeve. Ai ka thënë se kjo mund të çojë në përhapje edhe më të madhe të pandemisë, nëse vazhdohet në këtë formë.
17 qytetarë të Komunës së Prishtinës të infektuar janë duke marrë trajtim në Klinikën Infektive dhe Klinikat e tjera që janë lëshuar për të trajtuar rastet me COVID-19.
Sipas Gashit, disa prej tyre janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe disa të tjerë kanë simptoma më të lehta. Të tjerët janë në vetizolim nëpër shtëpitë e tyre.