Komuna e Malishevës ka njoftuar të hënën se ka vdekur një person nga ethet hemoragjike Krime-Kongo. Është rasti i parë i vdekjes në Kosovë nga “EHKK”.
I.B. 44-vjeçar nga Malisheva ka vdekur në natën mes të shtunës dhe të dielës. Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu. Është rasti i parë i vdekjes nga EHKK në Malishevë në gjashtë vjet.
“Në natën në mes të së shtunës dhe të dielës, një person nga Komuna e Malishevës, ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit me virusin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK). Për gjashtë vite me radhë në Komunën e Malishevës, nuk ka pasur raste të vdekjeve me EHKK, ndërsa për pesë vite radhazi nuk ka pasur as raste të infeksionit. Vdekja I.B. (1976), është konfirmuar nga SHSKUK, përkatësisht drejtori Basri Sejdiu, në komunikim zyrtar me Komunën e Malishevës. Bazuar në të dhënat e deritanishme, tashmë i ndjeri, edhe pse i prekur me EHKK, nuk është trajtuar në Klinikën Infektive, por në një klinikë tjetër dhe në momentet e fundit të jetës, ka pasur nevojë edhe për terapi me oksigjen. Lidhur me rastin sot është mbajtur një takim urgjent i shtabit komunal për EHKK, si dhe çështja është trajtuar edhe në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve”, është njoftuar nga komuna.