788 veta humbën vendet e tyre të punës në Gjilan brenda dy muajve

Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit e ka publikuar raportin rreth ndikimit që ka pasur pandemia COVID-19 në ekonominë lokale të Gjilanit.

Në këtë hulumtim janë anketuar 304 biznese. Sipas gjetjeve të raportit, 788 punëtorë kanë humbur vendet e tyre të punës brenda dy muajve (mars-maj).

Në raport theksohet se shumica e bizneseve kanë deklaruar humbje të konsiderueshme në aktivitetin e tyre ku prin prodhimi, tregtia, shërbimet, hoteleria duke u pasur nga ato ndërtimore, bujqësore dhe transportuese.

Reklama e sponzorizuar

Bizneset kanë raportuar për rënie të nivelit të shitjes gjatë pandemisë, zvogëlim të kërkesave nga klientët si dhe shkëputje të kontratave.

“Hulumtimi me bizneset e anketuara tregon se në masë të madhe është reduktuar numri i punëtorëve prej 3 mijë e 409 sa ishin para pandemisë në 2 mijë e 621 gjatë pandemisë duke ndikuar në humbjen e 788 vendeve të punës. Kryesisht bizneset e mëdha dhe të mesme kanë zvogëluar në masë të madhe numrin e punëtorëve gjatë pandemisë dhe pothuaj e njëjta situatë është deklaruar edhe nga bizneset e vogla”, shkruhet në këtë raport.

Gjysma e bizneseve të anketuara kanë deklaruar se nuk mund të përballojnë këtë situate, e cila ka goditur ekonominë.

”Një përqindje e madhe, apo 54 përqind e bizneseve deklarojnë se nuk mund të përballojnë situatën me pandeminë dhe periudha maksimale që biznesi mund të operojë me rezultat pozitiv ose pa humbje është 0 deri 3 muaj. 30 perqind e bizneseve kanë deklaruar se mund të mbijetojnë deri në 6 muaj ndërsa 8 përqind e bizneseve mund të operojnë prej 3 deri 6 muaj dhe 9-12 muaj”, shkruhet në këtë raport.

Raporti nënvizon se 50 përqind e bizneseve të anketuara kanë deklaruar se nuk planifikojnë largimin e punëtorëve nga puna. Kurse 26 përqind e bizneseve kanë deklaruar se ka gjasë që të largojnë punëtorë nga puna brenda dy muajve. Kurse 24 përqind e bizneseve kanë deklaruar se ka gjasë që të largojnë ndonjë punëtor brenda 1 muaji.

Ndryshe, bazuar në të dhënat që posedon Qendra për Regjistrimin e Bizneseve (QRB) në kuadër të drejtorisë për zhvillim ekonomik komuna e Gjilanit në fund të vitit 2019 kishte të regjistruara 4 mijë e 24 biznese prej tyre mbi 3 mijë biznese aktive dhe veprimtarit kryesore janë tregtia me 54 përqind shërbimi me 29 përqind, prodhimi me 11 përqind dhe ndërtimtaria me 6 përqind derisa kanë qenë të punësuar mbi 9 mijë punëtor.