A janë të lidhur me politikën emërimet e reja në Bordin e Telekomit?

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka folur për krizën në Telekomin e Kosovës dhe emërimin e bordit të ri të kësaj ndërmarrjeje, përzgjedhja e të cilëve është bërë përmes CV.

Ai ka thënë se emrat e tyre nuk janë të lidhur me politikën.

Po është e vërtetë se sot kemi votuar në mënyrë elektronike për anëtarët e Bordit të Përkohshëm të Telekomi. Në fakt është lajm i mirë që nuk i njohim dhe i bie që nuk janë figura politike. Para se të vijë këtu bisedova me ministrin Kuçi dhe ajo çka ka ndodhur është që ministria e Ekonomisë që është përgjegjëse i ka marrë CV-ja e tyre dhe i kanë përzgjedhë këta katër persona”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Tahiri ka shtuar se Qeveria si aksionare kryesore nuk ka mundësi ta lë një korporatë si Telekomi pa bord.

Ai ka thënë se përzgjedhja e këtyre anëtarëve është bërë përmes CV-ve.

Ndryshe, Qeveria mbrëmë ka miratuar vendimin për emërimin e Bordit të përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës Sh. A”, i cili do të përbëhet nga Mehmet Berisha, Kushtrim Krasniqi, Teki Shala dhe Blerim Shehu.

Sipas ZKM’së, emërimi i këtij bordi është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndërmarrjet publike dhe pas dorëheqjes së Bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje. Ky bord i përkohshëm do të shërbejë në cilësi të Bordit të drejtorëve derisa të zgjedhet Bordi i përhershëm.