Të premten përfundimisht do të merret vesh nëse kishte një ofertë nga Telekom Srbije për blerjen e aksionëve të IPKO-s në Kosovë, siç u raportua në media ditë më parë.
Anëtari në Komisionin për Ekonomi, Industri…, të Kuvendit, Hekuran Murati, ka konfirmuar se të premten e kësaj jave, anëtarët e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) do të raportojnë para deputetëve lidhur me këtë çështje.
“Po të premten do të sqarohet kjo çështje”, ka thënë Murati.
Ndryshe, ditë më parë është raportuar në media se kompania telefonike serbe “Telekom Srbija” ka ofruar 155 milionë euro për blerjen e kompanisë “IPKO”, në Kosovë.
Këto paralajmërime i kanë komentuar për Buletinin Ekonomik në Telekom Slovenije, e cila i posedon 100% të aksioneve të IPKO-s.
Katarina Prešeren, Drejtoreshë e Zyrës për Informim në “Telekom Slovenije”, ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë veprim dhe se janë ende në proces. Ata u shprehën të rezervuar rreth pyetjes se a ka pasur ofertë nga ‘Telekom Srbije’ për IPKON, duke thënë se kur do të ketë diçka konkrete, “ne do t’i informojmë palët e interesit, sipas legjislacionit përkatës përmes tregut të Bursës së Lubjanës.
“Deri më tani nuk ka asnjë vendim, jemi akoma në proces. Kur do të ketë diçka konkrete, ne do t’i informojmë palët e interesit sipas kërkesave të legjislacionit përkatës përmes tregut të Bursës së Lubjanës. Ndërsa jemi akoma në proces ne nuk mund t’ju japim ndonjë koment tjetër ose informacion shtesë”, ka thënë Prešeren.
Ndryshe, nga 10 ofertat e pranuara, është raportuar se “Telekom Srbija” ka ofruar shumën më të lartë për blerjen e kompanisë “IPKO”. Kurse, ekspertët vlerësuan se në rast se do të ndodhte një gjë e tillë, atëherë do të vihej në rrezik të paparë siguria kombëtare.
Po ashtu mësohet se Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare e kishte parashikuar që mund të vinte një situatë e tillë, dhe paraprakisht ka marrë veprimet si në vijim: Më datë 25 korrik 2019, Bordi i ARKEP i kryesuar asokohe nga Kreshnik Gashi, tani Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në një vendim të nxjerrë, duke aprovuar kërkesën e IPKO Telecommunications LLC për ripërtëritjen e autorizimit për dhënien e së drejtës së shfrytëzimit të radio spektrit frekuencor të nevojshëm: sipas pikës 3 të Shtojcës 1, të po këtij vendimi, ka paraparë se: “Autorizimi Individual i specifikuar për operatorin, nuk mund të shitet, jepet me qira, të transferohet apo të jepet si garanci, pa miratimin paraprak nga ARKEP.
Asnjë ndryshim i kontrollit të operatorit qoftë i drejtpërdrejt apo i tërthortë nuk mund të bëhet pa lejen paraprake me shkrim të ARKEP”. Kjo lë të nënkuptohet se kompania IPKO Telecommunications LLC nuk mund të ndërroj pronarin e saj, dhe nuk mund ti shes aksionet, tek një kompani tjetër, pa miratimin paraprak të ARKEP-it. /Buletini Ekonomik/