Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka quajtur alarmante dhe shqetësuese rritjen e shpejtë të rasteve të reja me COVID-19 në Prishtinë.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se bazuar në të dhënat e marra nga IKSHPK ka dalë se momentalisht, që nga data 20 mars deri sot janë 1963 raste me COVID-19 prej të cilave 1209 raste janë ende aktive.
“Kemi 732 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 22 raste që kanë përfunduar me fatalitet. Mbajtja e maskës është një̈ prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë”, ka shkruar ai.
Ai tutje ka bërë thirrje që të respektohen masat për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.
“Të gjithë e kemi obligim që të ruajmë veten dhe të tjerët rreth nesh e të jemi të ndërgjegjshëm.
Sepse vetëm bashkë mund të e tejkalojmë këtë sfidë! Vazhdoni t’i mbani maskat, dezinfektoni duart dhe mbani distancë”, ka shkruar ai.
Deri tash në Kosovë janë infektuar 6286 persona, janë shëruar 3369 dhe kanë vdekur 150. Ndërkaq në Prishtinë numri i të infektuarve ka shkuar në 2057.