AKB: Goditet rëndë ekonomia kosovare nga vala e dytë e pandemisë

Aleanca Kosovare e Bizneseve përmes një komunikate për opinionin shpreh shqetësimet e veta bashkërisht me komunitetin e biznesit për pasojat e valës së parë të pandemisë dhe goditjet e serishme të valës së dytë që nuk po i dallon sektorët as strukturat ekonomike dhe politike nga pandemia COVID 19.

Vala e parë e pandemisë që filloi nga marsi dhe vazhdoi deri në fillim të qershorit ishte goditje e paparashikueshme dhe la pasoja të rënda ekonomike, por mosrespektimi i masave e solli valën e dytë më herët seç ishte parashikuar dhe tash po vuajmë nga këto pasoja të papërgjegjësisë kolektive.

Institucionet shtetërore të atëhershme mendonin se duke e izoluar komplet ekonominë, lëvizjen e bizneseve dhe qytetarëve do t’i shpëtojnë pandemisë më lehtë, por për këtë nuk kishte as një studim që vërtetonte këto vendime të tyre, prandaj AKB ka dërguar rekomandime për të tejkaluar krizën, por qeveria e kaluar nuk i ka marrë seriozisht vlerësimet e goditjes ekonomike dhe pasojat e saj që po i vuajmë edhe sot.

Reklama e sponzorizuar

Sot ekonomia e vendit gjendet në një situatë të rëndë kur pasojat e atëhershme dhe masat e reja që ka ndërmarr Qeveria do të kenë pasoja të tjera ekonomike ku kufizohen shumë organizime publike e sidomos nga kjo do të goditet sektori i gastronomisë, turizmit, transportit dhe shërbimeve tjera, të cilët edhe më herët ishin goditur edhe me rëndë.

Ndonëse vala e dytë sipas institucioneve vendore dhe ndërkombëtare do t’i godasë sërish vendet në vjeshtë, AKB vlerëson se në bazë të shifrave të të infektuarve dhe të vdekjeve ne vetëm se kemi hyrë në fazën e dytë, e cila kërkon më shumë përkushtim, respektim të udhëzimeve dhe masave për të tejkaluar më lehtë pandeminë shëndetësore dhe ekonomike. Këto do të kalohen më lehtë nëse ka unitet dhe bashkëveprim politik dhe ndërinstitucional për të marrë vendime strategjike për tejkalim të situatës dhe kjo është barrë dhe përgjegjësi e gjitha subjekteve politike, të cilat janë të përfaqësuar në Parlamentin e Kosovës.

Qeveria e vendit e ka prioritet mbrojtjen e shëndetit publik, e si pasojë e mosrespektimit të masave nga ana e të gjithë qytetarëve, konsumatorëve, po pëson ekonomia dhe kufizimi i tyre do të ulë konsumin për të cilën do të preken të gjithë sektorët ekonomikë.

AKB kërkon nga bizneset dhe konsumatorët që të respektojnë masat e ndërmarra nga Qeveria dhe IKSHP në mënyrë që të mos merren vendime tjera shtesë, për të cilët do të ketë pasoja edhe më të mëdha në ekonominë kosovare, e cila edhe kështu është e kufizuar dhe e varfër, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe të EU-së.