Insituti kosovar për Politika Evropiane ka publikuar statistikat në lidhje me aplikimin e kosovarëve për vizë shengen gjatë vitit 2019.
Sipas këtij Instituti viti 2019 ka shënuar rekord të vizave Shengen për qytetarët e Kosovës dhe nivelin më të ultë historik të refuzimit të vizave.
Sipas EPIK, 108 mijë e 774 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë shengen dhe vetëm 20% e këtyre aplikimeve janë refuzuar, raporton Gazeta Express.
“Në vitin 2019, 108,774 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar, ndërsa 88,448 kanë pranuar vizë Shengen. 80% e qytetarëve të Kosovës që kanë aplikuar për vizë kanë pranuar një të tillë, apo thënë ndryshe 8 nga 10 qytetarë që kanë aplikuar kanë pranuar vizë Shengen. Kjo shënoj rekordin historik për nga numri i aplikimeve dhe aprovimeve të vizave Shengen për qytetarët e Kosovës”, thuhet në publikimin e EPIK.
Vendet që kanë lëshuar më së shumti viza shengen janë Gjermania, Zvicra dhe Greqia.
Ndërkaq, sipas EPIK në periudhën 2014-2019 për vizë Shengen kanë aplikuar gjithsej 522 mijë e 343 qytetarë të Kosovës, ndërsa 415 mijë e 766 kanë pranuar një të tillë.