Përfaqësuesja e posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se nuk beson që Bashkimi Evropian qëndron prapa aktakuzës së Dhomave të Specializuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Ajo në DESKU-n e Kohës ka thënë se Prokuroria e Specializuar është organ i pavarur dhe duhet të qëndrojë i tillë.
Apostolova ka shtuar se edhe pas aktakuzave, dialogu me Serbinë po vazhdon, duke shtuar se për personalitet që marrin pjesë në këtë proces, vendosë Kushtetuta.
“Në bazë të saj caktohen njerëzit që e përfaqësojnë Kosovën në dialog, sigurisht që kryeministri Hoti mund të shoqërohet nga kushdo që dëshiron. Pra nuk është e shëndetshme të kombinosh ose t’i lidhësh këto dy çështje, por kur flasim për Dhomat e Specializuara dhe refleksionin që ka në Kosovë, dua t’i bëj disa komente, sepse fatkeqësisht kemi parë tashmë një përpjekje për shfuqizim të këtij ligji dhe ishte i bërë në një mënyrë të pahijshme” ka thënë ajo.
Ajo tutje ka shtuar se iniciativa për shfuqizimin e Speciales në vitin 2018 ishte gabim i madh.
Sipas saj, të gjithë ata që lobuan për një gjë të tillë do të duhej të dinin se çfarë mesazhi po përcillte Kosova në sytë e botës, duke shtuar se nuk ishte befasues reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare.
“Unë mendoj se nuk ishte aspak befasues reagimi i gjithë neve, i gjithë partnerëve ndërkombëtarë në faktin se ky ishte një gabim shumë i madh, dhe është po ashtu gabim perceptimi në Kosovë se ky gjyq po i targeton UÇK-në, dhe ajo që e bën është tejet e rëndësishme dhe e kemi mbështetur të gjithë partnerët ndërkombëtarë, si miqtë tuaj. Por kjo nuk është një përgjegjësi kolektive ajo e cila po kërkon gjykata. Ajo po kërkon përgjegjësi individuale të disa njerëzve”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, aktakuzat e Speciales nuk nënkuptojnë që personi është i fajshëm.
Ajo e ka quajtur të rrezikshëm perceptimin se Bashkimi Evropian përmes kësaj gjykata po ndjekë persona të caktuar, ose po e targeton UÇK-në.
“Jo ne nuk jemi duke e bërë, janë vetëm individë që duhet të përgjigjen për aktet e tyre në atë periudhë kohore”, ka thënë ajo.
Duke folur për ambientin, ajo ka thënë se është nevoja që legjislacioni të përmirësohet dhe kjo nuk është bërë për një kohë të gjatë.
“Ju e dini se moto e komisionit të ri evropian është mjedisi. Do t’ ju jap një shembull se si do të implementohet kjo në Kosovë veçanërisht. Vizita e parë e përfaqësuesit tonë ishte e lidhur direkt me vizitën e termocentralit të Kosovës, ku ai zyrtarisht inauguroi donacionin tonë, që është 75 milionë euro”, ka thënë ajo.
Apostolova për dialogun: BE-ja e SHBA-ja, partnerë strategjikë
Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, thotë se dialogu Kosovë – Serbi gjithnjë ka qenë lart në agjendën e Bashkimit Evropian.
Ajo tha se tash është një fazë e re dhe se e vuan atë që shkoi pa dialog.
Shtoi se BE-ja e SHBA-ja gjithnjë kanë qenë dhe do të jenë partnerë strategjik, përfshirë edhe zgjidhjen e rastit të Kosovës.
“Me përbërjen e re besoj se BE-ja ka sjellë një energji të re dhe një fazë të re të dialogut. Dialogu ka qenë gjithmonë lart në agjendën tonë dhe e di këtë shumë mirë, sepse kam vuajtur shumë dhe jam përpjekur të gjej një mënyrë për bllokadën që ndodhi për një vit e gjysmë pas vendosjes së tarifës 100%, që të gjej një mënyrë që të rinisë dialogun, por ishte e pamundur. Tash kemi një fazë të re, kemi një nivel të lartë politikan që ka një eksperiencë të lartë në negociata, që është tash duke punuar 24 orë në ditë në këtë çështje. Më parë BE-ja si ndërmjetësues ka qenë duke e mbështetur procesin që ka qenë duke ndodhur për një kohë të gjatë por tani ekipi i ri dhe momentumi pozitiv që është krijuar me marrjen e detyrës nga Lajçaku është që ai dhe skuadra e tij janë të përkushtuar në këtë çështje 24 orë në ditë”, tha Apostolova.
Diplomatja e BE-së mohoi se ka inat mes BE-së dhe SHBA-së në lidhje me dialogun.
Ajo thotë se SHBA-ja dhe BE-ja gjithmonë kanë qenë partnerë strategjik.
“Ne gjithmonë kemi qenë në koordinim dhe udhëheqësit tanë gjithmonë kanë folur me njëri- tjetrin, gjithmonë jemi duke ndarë strategjinë e përbashkët. Kjo strategji është normalizimi dhe stabiliteti i marrëdhënieve. Si do të ndodhë kjo? Ka shumë çështje në këtë pjesë, nuk janë vetëm miqtë tanë amerikanë, por ne kemi edhe partner të cilët na kanë mbështetur. Pra momentalisht nuk do ta lidh këtë energji në dialog me asnjë aktor të jashtëm, është e gjitha duke ardhur si pasojë e faktit se tani kemi përkushtimin e përfaqësuesit tonë të lartë që ta përfundojë këtë dialog sa më shpejt që është e mundur, ne të gjithë e dimë se sa benefit sjell kjo marrëveshje për Kosovën dhe Serbinë”, u shpreh ajo në Deskun e KOHËS.
Apostolova lavdëron punën e EULEX-it: Kosova duhet të jetë falënderuese
Duke folur për misionin e EULEX-it në Kosovë, përfaqësuesja e posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se nuk pajtohet që ky mision nuk solli asgjë të mirë në Kosovë.
Ajo ka shtuar se EULEX-i ka pasur kufizime rreth asaj se çfarë ka mund të bënte përgjatë viteve sa qëndroi në Kosovë.
“Por, procesi ligjor si i tillë e bëri të domosdoshëm edhe njëfarë bashkëpunimi nga sistemi i drejtësisë në Kosovë. Pra është komplekse. Por dua që ta përmend edhe atë se EULEX-i nuk përbën vetëm drejtësinë. EULEX-i solli këtu zyrtarë doganorë, EULEX-i e mbështeti dialogun për shumë vjet, përfshirë IBM-në”, ka thënë ajo.
Apostolova shtoi se EULEX-i punoi edhe në marrëveshjen rreth drejtësisë, që është marrëveshje e dialogut.
“Pra, EULEX-i solli shumë dhe po vazhdon të sjellë. Për momentin, EULEX-i ka shkuar përtej funksioneve të veta ekzekutive dhe po ndihmon në këto raste që i janë dhënë gjykatës dhe gjyqësorit. Dhe, po i monitorojnë këto raste, po japim këshilla dhe janë të përfshirë në mjekësinë ligjore që në Kosovë është në fazën fillestare, nuk është e zhvilluar. Mendoj se gjithçka që po bën EULEX-i për momentin është e zakonshme pas gjithë këtyre viteve dhe gjithçkaje që kanë bërë. Janë të fokusuar për ndihmë gjyqësore Kosovës.
Ajo ka thënë se nuk pajtohet me njerëzit që e fajësojnë EULEX-in për të gjitha fushat jofunksionale të gjyqësorit.
Apostolova shton se EULEX-i ka bërë shumë dhe Kosova duhet të jetë falënderuese për ekspertizën e sjellë këtu.
“Vlerësoj se ajo që EULEX-i është duke bërë momentalisht është shumë normale pas gjithë këtyre viteve, dhe gjithçka që ata kanë bërë, ky është vetëm një cikël i asaj se ku janë të koncentruar është shumë ndihmuese për Kosovën. Unë do të mund të argumentoj gjithmonë me njerëzit që janë duke e fajësuar EULEX-in, për gjithë mosfunksionimin në fusha të ndryshme, sepse nuk është e drejtë të thuhet. EULEX-i ka dhënë shumë dhe besoj se Kosova duhet të jetë falënderuese për gjithë këtë ekspertizë që ishte sjellë këtu nga shumë njerëz”, ka shtuar ajo.