ARKEP-i ende nuk ka informatë zyrtare mbi shitblerjen e mundshme të IPKO-s

Bordi i Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ende nuk ka informatë zyrtare mbi shitblerjen e mundshme të kompanisë IPKO nga Telekomi i Serbisë.

Të martën u.d. i kryeshef ekzekutiv, Shqipërim Pula, gjatë raportimit të tij para Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike ka thënë se Telekomi Slloven që nga korriku i vitit të shkuar ka nisur procesin e shitjes, raporton KOHA.

E ndonëse, sipas tij, ekziston një ofertë për blerje nga Telekomi i Serbisë, kjo ende nuk ka ndodhur zyrtarisht.

Reklama e sponzorizuar

Anëtarja e Komisionit, Mimoza Kusari-Lila, ka ngritur shqetësimet lidhur me mosreagimin e Bordit të ARKEP-it për këtë blerje.

Deputetët e tjerë kanë kërkuar sqarim nëse ARKEP-i deri më tani ka kërkuar të dhëna zyrtare nga IPKO-ja për këtë proces të blerjes, dhe se si do të veprohet tani e tutje për ta parandaluar këtë proces.

Gjatë diskutimit po ashtu u tha se nëse ky proces i shitjes nuk kalon nëpërmjet ARKEP-it, atëherë ky institucion mund të bëjë bllokimin e procesit të shitblerjes.