Balaj: Duhet gjetur zgjidhje për PTK-në para se të rrezikohet siguria kombëtare

Qeveria e Kosovës nesër do të mbajë një mbledhje për të gjetur një zgjidhje për Telekomin,  pas bllokimit të llogarive si pasojë e përmbarimit të borxhit 25 milionë euro  ndaj Kompanisë  “Z mobile”. Këtë e bëri të ditur kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të PTK-së, Lamih Balaj, i cili tha se duhet gjetur zgjidhje për këtë çështje para se të rrezikohet siguria kombëtare.

Ditë më parë llogaritë e Telekomit janë bllokuar si pasojë e përmbarimit të borxhit rreth 25 milionë euro  nga Kompania “Z mobile” ku kjo e fundit e kishte fituar gjykimin në Arbitrazh. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të PTK-së, Lamih Balaj, i tha Radio Kosovës se bllokimi i llogarive mund të çojë PTK-në deri te një katastrofë e rënies të të gjitha shërbimeve dhe cenimin e sigurisë kombëtare.  

“Nuk mund ta imagjinoj që do të rrezikohet siguria kombëtare dhe të bien të gjitha shërbimet, sepse të gjitha institucionet kryesore shtetërore janë të lidhura me Telekomin, AKI, Policinë, Ushtrinë, Emergjencën, do të thotë gjithçka është e lidhur me sistemin optik të Telekomit të Kosovës.”

Reklama e sponzorizuar

Balaj tha se dje me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi, kanë biseduar për hapat e mëtutjeshëm që duhet t’i ndërmarrë shteti për të shpëtuar Telekomin. Ai po ashtu tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin e vendit, Avdullah Hoti, i cili u ka thënë se brenda tre ditëve do të zgjidhet kjo çështje.

“Jam në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin, sigurisht që edhe ai është i shqetësuar. Nesër e ka caktuar edhe qeveria një mbledhje dhe besoj që gjithçka do të kuptohet  se çka do të ndodhë dhe besoj që edhe hapat tanë do të bëhen të ditur në rast se tentohet të luhet me fatin e 3500 punëtorëve dhe me fatin e gjithë Kosovës apo sigurisë kombëtare.”

Por për këtë gjendje në të cilën gjendet Telekomi, politikologu Albinot Maloku, thotë se fajin e kanë udhëheqësit e vendit. Ai thotë se qeveria do të duhej ta nxjerrë Telekomin nga kjo gjendje në të cilën gjendet.

“Qeveria e Kosovës e ka të obligueshme që të kryejë të gjitha përgjegjësitë që i ka karshi Telekomit. Privatizimi në asnjë mënyrë mos të bëhet deri sa Telekomi i Kosovës të këndellet. Dua të mbetem i befasuar që kjo qeveri do të bëje ndonjë gjë në raport me Telekomin e Kosovës, por ajo duhet të jetë e angazhuar maksimalisht për këtë institucion të veçantë të Republikës së Kosovës.”   

Por në rast se nuk bëhet ndonjë zgjidhje, Sindikata e punëtorëve të PTK-së ka paralajmëruar protesta e greva të cilat, sipas tyre, mund të jenë të pa parashikueshme. Telekomi i Kosovës ia ka borxh Kompanisë “Z Moblile” 25 milionë euro.