Kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se në xhirollogarinë e Telekomit ishin rreth 3 milion e gjysmë euro që ishin dhënë nga Qeveria e Kosovës për rimëkëmbjen e Telekomit dhe gjendjes së krijuar e pandeminë.
Sipas tij, me gjendjen e krijuar në çdo moment mund të ketë kolapsim të shërbimeve.
Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kërkesa e përmbaruesit ka qenë që derisa të tërhiqen nga xhirollogaritë 26 milionë euro, të mos zhbllokohen ato.
Sipas Balajt me këtë do të mbesin pa punë rreth 3500 punëtorë të Telekomit dhe shumë punëtorë të kompanive kontraktuale që punojnë me këtë ndërmarrje.
“Unë besoj që nuk ish dashtë me prit as deri nesër sepse ky është rast i veçantë që ka ndodhë me Telekomin, nuk ka asnjë vend në botë që shteti e lejon falimentimin e Telekomit. Në çdo moment mundet me pas kolpasim të shërbimeve sepse ne jemi me teknikë, munden me ra linjat telefonike që janë të lidhura AKI-ja policia e institucione tjera”, ka thënë ai.
Balaj: Tash përgjegjësia për Telekomin është e Qeverisë
Kryetari i Federatës Sindikale të PTK-së, Lamih Balaj, ka komentuar dorëheqjen e Bordi të përkohshëm të Telekomit.
Ai, i ftuar në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Bordi më nuk ka asnjë përgjegjësi. E gjithë përgjegjësia tash i takon Qeverisë si pronare e ndërrmarrjes.
Balaj ishte sot në takimin e mbajtur në Qeveri mes kryeministrit, pronarit të Z-Mobile dhe ministrave përkatës.
“Në vazhdimësi kemi kërkuar që për çështjen e borxhit dhe Telekomit të marre përgjegjësi Qeveria. Nuk është kompetencë e bordit më të negociojë me askënd, as me Z Mobile, ne nuk kemi marrëveshje kontraktuale më. Në takim ka qene pronari z. Blerim Devolli dhe avokatët e tij dhe ata kanë bërë hajgare, kanë qëndruar të shtrirë, sot e kanë pa me kanë kë të bëjnë. Gjatë gjithë kohës kanë bërë hajgare. Nuk ka pasur kurrfarë konsiderate”, ka thënë Balaj.
Telekomit i janë bllokuar llogaritë financiare, pasi ka humbur arbitrazhin me Z Mobile.