Eksperti ndërkombëtar në menaxhimin e informacioneve, Merkur Beqiri, ka paralajmëruar se rastet ditore me COVID-19, që këto ditë po shkojnë mbi 200, do të reflektojnë me 7 deri në 9 vdekje nga mesi e deri në fundit të gushtit.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka tërhequr vërejtjen se pa rënien e R faktorit të përhapjes së infeksionit nën 1, situata nuk mund të thuhet se është nën kontroll. Aktualisht Kosova e ka R faktorin 1.7.
“Studimi nga Harvardi ka hulumtuar kohën e cila kalon nga konfirmimi i rasteve me COVID-19 deri te rastet e pashmangshme të vdekjes për disa nga ata. Përfundimi ishte se nga koha kur shfaqen simptomat deri te koha e vdekjes (për ata të cilët nuk e kanë fatin të shërohen), kalojnë 2 deri në 8 javë. Pra, numri i lartë i rasteve të konfirmuara sot, shprehet në numër të lartë të vdekjeve 2 deri në 8 javë më pas. Kosova e ka një trend të rasteve të konfirmuara ditore mbi 100 që nga fillimi i korrikut, dhe kjo do të reflektohet në numrin e lartë të rasteve të vdekjes vazhdimisht me disa javë vonesë, derisa të fillojë të ulet numri i infeksioneve. Tek ne pra, një paternë e cila mund të shihet që nga aeroplani, po tregon se në trendin e rasteve të reja në mbi 200 në dite, trendi i vdekjeve prej 7,8 ose 9 njerëz në dite pason pas 3-4 javëve në mesatare. Rastet e reja në numra mbi 200 në ditë sot, do reflektohen në 7, 8, 9 vdekje në ditë në mes të gushtit dhe në fund të gushtit”, ka shkruar eksperti i angazhuar në shumë agjenci të Kombeve të Bashkuara, në mesin e tyre edhe të OBSH-së.
Beqiri thotë se për pandeminë duhet të ndiqet modeli i Gjermanisë.
“Nuk kam zgjidhje universale as këshillë të mençme për të gjithë. Një gjë e di, që situata duhet të menaxhohet për të pasur dëme minimale, e ajo d.m.th. sa më pak vdekje. Ngjashëm si e bën Gjermania dhe disa shtete tjera. S’kemi ku ikim, por mund të minimizojmë vdekjet. Për momentin, me R=1.7 menaxhimi nuk është nën kontroll. Do bëhet ‘Ok’, vetëm kur R faktori i shpërhapjes të bie nën 1”, ka shkruar ai.