Bislimi: Përballja me pandeminë jashtë kontrollit

Përballja me pandeminë COVID-19 ka dalur jashtë kontrollit, ka deklaruar të marten nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi.

Ai, gjatë një konferencë shtypi ka parashikuar që ky dështim të shumëfishohet nga dëmet ekonomike, teksa u është referuar sondazheve me qytetarë.

“Të dhënat që po u ofrohen të gjitha subjekteve politike tregojnë se qytetarët më qartë se asnjëherë më parë kanë arritur ta vlerësojnë secilin subject veç e veç. Sipas raportit të fundit të vlerësimit publik, 31 për qind e qytetarëve gjatë marsit kanë menduar se gjërat në Kosovë po shkojnë në drejtimin e duhur, derisa në muajin qershor, vetëm 9.9 për qind e kanë një mendim të tillë”, ka deklaruar Bislimi.

Reklama e sponzorizuar

Bislimi ka shtuar se 64.8 përqind e qytetarëve kanë qenë të kënaqur me punën e ish-kryeministrit Kurti; 76.3 përqind e qytetarëve kanë qenë të kënaqur me punën e ish Qeverisë Kurti në parandalimin e përhapjes së COVID19.

“Mbi 82 përqind kanë qenë të kënaqur me masat e ndërrmarra në kuadër të Pakos Emergjente Fiskale; 58.6 përqind e qytetarëve mendojnë se duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme derisa 28.2 përqind mendojnë se nuk duhet të mbahen ato”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka përmendur një sondazh të “UBO Consulting”.

“Kë do ta votonin qytetarët nëse do të mbaheshin zgjedhjet: 52.7 përqind VV-në, 15. 9 përqind PDK-në. Sondazh më kredibil në Kosovë nuk mundeni me gjetur. Marzha e gabimit është plus, minus tre për qind”.