BQK, OEK dhe OEAK koordinojnë propozimet për rimëkëmbje ekonomike

Banka Qendrore e Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane kanë koordinuar propozimet për rimëkëmbjen ekonomike.

Në kuadër të takimeve të rregullta me qëllim të koordinimit të propozimeve të përbashkëta për rimëkëmbjen ekonomike pas shpërthimit të pandemisë COVID19, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi si dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka.

Guvernatori Fehmi Mehmeti prezantoi propozimet e Bankës Qendrore të Kosovës për institucionet qeveritare duke theksuar nevojën e mbështetjes më të madhe për industrinë e prodhimit në vend. Në të njëjtën kohë guvernatori Mehmeti sqaroi edhe dispozitat e Udhëzuesit për Ristrukturimin e Kredive për Shkak të COVID-19 duke shprehur besimin se bankat komerciale do t’u dalin në ndihmë ndërmarrjeve të prekura.

Reklama e sponzorizuar

Drejtuesit e odave ekonomike në anën tjetër elaboruan propozimet e të dyja odave përkatëse të cilat përfshijnë rekomandime për përkrahjen financiare por edhe për lehtësira fiskale për bizneset. Propozimet e përbashkëta të Bankës Qendrore të Kosovës, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë përfshijnë edhe pikat e intervenimit legjislativ të cilat do të mundësonin zbatimin e masave të propozuara.