Veç shtatë ditë qëndroi i emëruar si këshilltar për ekonomi i kryeministrit Avdullah Hoti. Një vendim i të parit të ekzekutivit e liroi nga detyra pas një jave Muhamet Mustafën, derisa, pa ndonjë sqarim shtesë në vendim për arsyen, të njëjtit iu kërkua ta bëjë deklarimin e pasurisë, raporton Gazeta Express.
Derisa në vendimin e kryeministrit të datës 13 korrik nuk specifikohet arsyeja se pse Hoti ka larguar nga detyra Mustafën dhe pse i ka kërkuar ta bëjë deklarimin e pasurisë edhe në vendimin e lirimit nga detyra, vetë ish -këshilltari i shefit të qeverisë është lajmëruar në Facebook ku ka dhënë versionin e tij.
Mustafa ka thënë se i kishte thënë kryeministrit në një takim që kishin pasur me 4 korrik se nuk mund të angazhohet si këshilltar në Qeveri, pasi që nga viti 2017’të është tërhequr nga angazhimi politik.
Sipas tij, ishte vetë Hoti që pas tri ditësh i kishte dërguar një vendim për emërimin e tij, ani pse paraprakisht ia kishte sqaruar se nuk do që të angazhohet në këtë post politik.
Ish-këshilltari është kapur me mediat lidhur me interpretimin e lajmit për shkarkimin e tij nga detyra, teksa, në vendimin e publikuar nga zyra e kryeministrit e vetmja gjë që saktësohet në këtë rast është ajo e lirimit nga detyra.
Pasi që zyra e kryeministrit nuk e ka saktësuar atë që thotë Mustafa se lirimi nga detyra është bërë me kërkesë të tij, Gazeta Express ka përcjellë pyetje tash e disa ditë për këtë çështje.
Megjithatë, në kryeministri nuk e sqarojnë deklaratën e Mustafës si dhe nuk japin detaje pse në këtë vendim të Hotit si pikë e dytë pas lirimit nga detyra është ajo e deklarimit të pasurisë.
Gazeta Express ka kontaktuar me Agjencinë kundër Korrupsionit për të parë nëse Mustafa është duke u hetuar për ndonjë rast, që potencialisht mund të jetë bërë shkak i lirimit të tij nga detyra.
Nga AKK’ja kanë bërë të ditur se kanë qenë të informuar lidhur me rastin. Ata sqarojnë se çdo person që ka pozitë publike duhet sipas ligjit që të deklarojë pasurinë në afat prej 30 ditësh pasi që pranon zyrtarisht detyrën.
“Bazuar në Ligjin për Deklarimin e Pasurisë të gjithë zyrtarët e lartë publik kanë për obligim ligjor deklarimin e pasurisë së tyre në afatin brenda 30 ditësh me rastin e marrjes se funksionit publik dhe i njëjti obligim ligjor vlen edhe për rastet e largimit/shkarkimit nga funksioni publik”, thonë nga Agjencia kundër Korrupsionit.
Për rastin e Mustafës thonë se zyrtari në fjalë, nuk ka arritur që të deklarojë pasurinë para ose pas marrjes së detyrës, pasi që në këtë pozitë ka qëndruar vetëm një javë.
“Lidhur me deklarim te pasurisë së zyrtarit në fjalë, të dyja proceset, sikurse marrja e detyrës por edhe lirimi nga detyra kanë ndodhur brenda afatit prej 7 ditëve, ndërsa në të dyja rastet (marrjes së detyrës dhe largimit) Ligji për deklarimin e pasurisë obligon zyrtarët e lartë publik ta deklarojnë pasurinë e tyre në afatin brenda 30 ditëve”, thuhet në përgjigje.
Rrjedhimisht, Mustafa ka afat deri në muajin tjetër që të bëjë deklarimin e pasurisë pas emërimit në kryeministri nga Hoti.
Tashmë kryeministri Avdullah Hoti ka emëruar Ardita Dushin si shefe të stafit të kryeministrit dhe këshilltare politike, Visar Berishën, zëvendës-shef i stafit të kryeministrit dhe këshilltar politik, Marigona Berisha , shefe e kabinetit të kryeministrit dhe këshilltare politike, Shpëtim Hajdari, këshilltar politik për çështje të sigurisë, Ramë Manaj, këshilltar politik, Xhavit Beqiri, kshilltar politik dhe drejtor i zyrës për KP, Kastriot Jahaj, këshilltar politik, Alush Gashi, këshilltar politik, Bardhyl Meta, këshilltar politik, Jeton Emini, këshilltar politik, Lindon Pajaziti, këshilltar politik, Suhat Ademi, këshilltar politik, Sencar Karamuco, këshilltar politik, Almir Veliji, këshilltar politik, Afred Kimolli, këshilltar politik dhe Prenk Gjetaj, këshilltar politik dhe Kryesues i KQPZH.