Cirku “Cirque du Soleil Entertainment” në Kanada aplikoi për mbrojtje nga falimentimi, pasi u detyrua të anulojë shfaqjet dhe të pushojë nga puna artistët e saj, për shkak të pandemisë së coronavirusit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ndërmarrja argëtuese me qendër në Montreal, e cila drejton gjashtë shfaqje në Las Vegas, punoi shumë për mbijetesën e këtij biznesi, mirëpo për shkak të masave kufizuese nga coronavirusi, ajo u detyrua të pezullojë përkohësisht shfaqjet.
“Me zero të ardhura që nga anulimi i shfaqjeve tona për shkak të COVID-19, menaxhmenti duhej të vepronte me vendosmëri për të mbrojtur të ardhmen e kompanisë”, tha Kryeshefi Ekzekutiv, Daniel Lamarre.
Me këtë rast, kompania ka nënshkruar një marrëveshje me investitorët e saj ekzistues, TPG Capital, Fosun International Ltd nga Kina, dhe fondin e pensionit kanadez “Caisse de depot”, sipas të cilit grupi do të marrë përsipër shpenzimet e Cirque, ndërkaq edhe do të investojë rreth 300 milionë dollarë si fillim. /Telegrafi/