I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka organizuar një takim mes palëve, të enjten, dhe ka gjetur një formulim për të kënaqur të dy palët edhe në vetë prezantimin e karakterit të këtij takimi. Pasi pala kosovare insiston se dialogu është “vetëm politik”, e pala e Serbisë se është edhe për çështje teknike, Lajçak ka shkruar se takimi ka qenë “politik, në nivel të ekspertëve”.
Ky takim ishte thirrur që të enjten e shkuar, kur në Bruksel për herë të parë ishin takuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata kishin rënë dakord që takimi “në nivel ekspertësh” të zhvillohet këtë javë, raporton KOHA.
Prej atëherë pala kosovare insiston se “nuk ka më dialog teknik”, por vetëm politik, dhe se ky dialog është për të hartuar marrëveshjen finale e cila do të jetë edhe njohje mes dy shteteve.
Pala serbe pohon se “njohja mund vetëm të shihet si ëndërr e shqiptarëve”, ndërsa BE-ja vazhdon të heshtë.
Kosovën në këtë takim e përfaqësoi koordinatori i sapoemëruar shtetëror, Skënder Hyseni, dhe Ibrahim Makolli, pasi pjesë kryesore e diskutimeve ishte fati i të pagjeturve.
Nga Serbia në takim delegacionin e udhëhoqi Marko Gjuriq, drejtor në Zyrën e Qeverisë së Serbisë për Kosovën…