Një e moshuar nga Prishtina është viktima e radhës nga COVID-19 në Kosovë. Ajo ka vdekur sot në orët e para të mëngjesit, raporton Express.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i saj nëpërmjet rrjetit social Facebook.
“Te nderuar miq, shok, farefis ju njoftoj se para 40 minutave pra ne ora 04:35 min iku ne amshim Nena jone pas nje lufte me Covid 19”, ka shkruar ai.
Ndryshe, kjo është vdekja e dytë nga koronavirusi në 24 orët e fundit. Sot ka vdekur edhe Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Ismet Ukshini, i cili ishte i infektuar me koronavirus. Përveç COVID-19, Ukshini kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Drejtori për Shëndetësi, Selami Xhemajli.
“Po, prokurori Ismet Ukshini ka vdekur në orët e para të mëngjesit në spitalin e Gjilanit. Ai ka qenë i konfirmuar se është i infektuar me COVID-19 ndërsa nga data 6 korrik ka qenë i shtrirë në spital. Ka pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Sipas mjekëve, ka pasur probleme me mushkëri”, ka thënë Xhemajli.
Numri i rasteve të konfirmuara me këtë semundje deri tash ka arritur në 5 mijë e 472, me gjithsej 126 raste të vdekjes të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.