Shoqata e Gastronomeve përmes një reagimi publik ka thënë se tani është momenti i fundit kur shteti duhet ta ndihmojë këtë sektor.
Në reagim thuhet se “ndër taksapaguesit me të mëdhenj, i dyti për nga numri i punësimit, krenaria e Prishtinës – sektori i gastronomisë është para falimentimit”.
“Të parët që u mbyllën në muajin mars, qe një muaj e gjysmë me vetëm një pjese të sektorit duke punuar dhe tanimë edhe në orar të shkurtuar. Edhe pse ndihmën që kemi pranuar nga shteti s’mund ta quajmë as lëmoshë – për 4 muaj e gjysmë një ndihmë 170 € që i shkon stafit, dhe gjysmën e një qiraje, ne prapë kemi vazhduar me pagesën e taksave dhe jemi munduar në maksimum t’i mbajmë punëtoret e mos t’i largojmë nga puna”, thuhet në reagim.
Më tej, Shoqata e Gastronomeve pohon se tani është duke u bërë më së shumti presion nga inspektorët që janë tërë kohën në terren.
“Në këto momente krize e presioni do të duhej të ishte shteti ai që na e zgjatë dorën, e ai as më të paktën nuk po e bën – nuk po e ndal madje as presionin, po shkon duke e shtuar atë. Kërcënim për gjoba në rast vonese të pagesës së tatimit e inspektorë tërë kohen në terren. Është ky momenti i fundit kur duhet ta ktheni kokën nga ky sektor e ta shikoni si një aset të vendit i cili është një hap para falimentimit”.
Shoqata e Gastronomeve thotë më tej se “Ndihmën që e meritojmë e na takon, s’po e kërkojmë për vete, po e kërkojmë për biznes, që të mbijetojmë sot, e nesër të vazhdojmë kontributin në ekonomi e turizëm, siç e kemi bërë deri tash”./Telegrafi/