Gastronomia si sektori i dytë më i madh në vend është para kolapsit. Kështu ka thënë Petrit Kllokoqi, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës në Interaktiv të KTV-së.
Ai tha se Qeveria me masat e ndërmarra ka dëmtuar edhe më shumë sektorin e gastronomisë.
Sipas tij, vetëm në Prishtinë, janë mbyllur 26 biznese.
“Në Prishtinë 26 biznese janë mbyllur, bëhet fjalë për ata që na kanë njoftuar, por shumë të tjera janë në prag të falimentimit. Shumë rrjete të kafiterive e restoranteve janë duke i mbyllur pikat, nuk është e përballueshme. Numër të saktë nuk kemi, por jemi duke shkuar drejt kolapsit”, ka thënë ai.
Kllokoqi ka thënë se në Kosovë janë rreth 4.000 biznese të gastronomisë me 14 mijë punëtorë formal.
Ai shton se vendimi i Qeverisë për të mbyllur lokalet në orën 21.00 është i dëmshëm.
“Nëse Qeveria ka vendosur të mbyll lokalet, atëherë duhet të subvencionojë bizneset, të japë ndihmat nga 170 euro për punëtorët, të mbulojë qiranë 50 për qind, të shtyjë afatet për tatimet, të mundësohet riprogramimi i kredive e të tjera”, tha ai.