Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka përfunduar procedurën e intervistimit të kandidatëve për anëtarë të KGJK-së nga Kuvendi, me ç’ rast ka propozuar për votim në seancë plenare 6 kandidatë, 4 nga radhët e anëtarëve të KGJK-së që zgjedhen nga shumica e përgjithshme e deputetëve dhe 2 nga radhët e anëtarëve që zgjedhen nga ana e deputetëve të komuniteteve të tjera.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar koordinatori i Komisionit për Legjislacion, Visar Krasniqi.
Kandidatët për anëtarë të KGJK-së që zgjedhen nga shumica e përgjithshme e deputetëve të cilët nga ana e Komisionit për Legjislacion i janë propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës për votim janë: Driton Muharremi, Hashim Qollaku, Hasim Sogojeva dhe Vilard Bytyqi. Nga këta 4 kandidatë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancë plenare me votim të fshehtë do të zgjedhë 2 prej tyre.
Ndërsa, kandidatët për anëtarë të KGJK-së të cilët zgjedhen nga radhët e komuniteteve të tjera, Komisioni për Legjislacion i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Sadete Fazliji dhe Fahret Vellija. Nga këta 2 kandidatë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancë plenare me votim të fshehtë do të zgjedhë njërin prej tyre.
Ndryshe, Kuvendi i Republikës së Kosovës më 25 maj 2020 ka shpallur konkurs për tre anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
KGJK përbëhet nga 13 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjedhën nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe shtatë të tjerë zgjedhën nga ana e gjyqësorit, me mandat pesë vjeçar.
Dy anëtarë të KGJK-së zgjedhën nga deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme, dy të tjerë zgjedhën nga deputetët të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara nga komuniteti serb në Kosovë dhe dy anëtarë tjerë zgjedhën nga deputetët të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve tjera.
Në secilin prej këtyre rasteve, të paktën njëri nga dy anëtarët e zgjedhur duhet të jetë gjyqtar.
Në konkursin e shpallur më 25 maj 2020, dy anëtarë të ri të KGJK-së do të zgjedhën nga deputetët e Kuvendit të cilët i mbajnë vendet e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme dhe një anëtar tjetër do zgjedhet nga deputetët të cilët i mbajnë pozitat garantuara nga komunitet pakicë jo-serbe
Në këtë konkurs, fillimisht kishin aplikuar 25 kandidatë, 6 nga të cilët Komisioni për Legjislacion i ka propozuar për votim Kuvendit të Republikës së Kosovës.