GLPS: Procesi i përzgjedhjes së Avokatit të Popullit po përcillet me defekte serioze ligjore

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shpreh kundërshtinë me rrjedhjen e procesit përzgjedhës për Avokatin e Popullit në Kuvendin e Kosovës.

GLPS-ja përmes një reagimi për media thotë se procesi po përcillet me defekte serioze ligjore, me mungesë transparence dhe vendime prapa dyerve të mbyllura.

Reklama e sponzorizuar

“Edhe pse GLPS që një kohë të gjatë u ka propozuar Komisionit për të Drejtat e Njeriut një metodologji të krahasuar se si zhvillohet një proces i tillë në vende të zhvilluara demokratike, dhe se si të bëhet një proces i tillë i bazuar në kritere objektive dhe të matshme, shumica e anëtarëve dhe kryetarja e komisionit në vazhdimësi e kanë refuzuar një propozim të tillë. Mënyra se si i zhvillua intervistimi formal me kandidatë ditën e djeshme nga Paneli Vleresues i Komisionit për të Drejtat e Njeriut ishte tërësisht joprofesional, i shoqëruar me pyetje të gjera që nuk kanë asnjë signifikancë serioze në identifikimin e profesionalizmit të kandidatëve dhe në një diskrecion total për anëtarët që sipas ‘bindjes së tyre politike’ të gjykojnë se cilët kandidatë janë më të pershtatshëm për pozitën e Avokatit të Popullit”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

Thotë se paneli vlerësues nuk ka dhënë asnjë përgjigje se çfarë vlerësuan dhe pse kandidatët e mbajtur fshehtë nga ta janë përzgjedhur në listë të ngushtë.

“Një fakt i tillë është seriozisht shqetësues dhe në kundërshtim të plotë me ligjin për Avokatin e Popullit, i cili insiston në një proces objektiv përzgjedhës”, thotë GLPS-ja.

Për më tepër, thuhet në reagimin e GLPS-së, Paneli Vlerësues e mbylli për monitoruesit e shoqërisë civile dhe ata ndërkombëtar mbledhjen e Panelit Vlerësues kur erdhi momenti i dhënies së pikëve dhe vendosjes.

“Një moment i tillë është krucial për transparencën dhe integritetin e procesit. Pse duhet Paneli Vlerësues të përjashtoj shoqërinë civile nga momenti i vënies së pikëve? Pse duhet që Paneli Vlerësues të mos ketë as edhe një kriter të vetëm profesional që ndërlidhet me indikator të matshëm për të vlerësuar përshtatshmërinë e kandidatëve? Si është e mundur të ndodh përjashtimi i shoqërisë civile në një mënyrë të turpshme nga monitorimi i procesit? Si është e mundur që një proces serioz i intervistimit të zhvillohet mbi bazën e një numri pyetjesh që më shumë i ngjajnë një përshkrimi të përgjithshëm sesa një procesi vlerësimi. Për këto pyetje ka vetëm një përgjigje: kultura e kapjes, e shoqëruar me një tendencë serioze të manipulimit të fshehur, që është shndërruar në normalitet në Republikën tonë”, thuhet në reagim. 

Prandaj, GLPS-ja kërkon nga Kuvendi të anuloj këtë proces dhe ta ri-zhvilloj në përputhje me Memorandumin e nënshkruar me Ambasadën Britanike, ku ekspertët britanikë do të jepnin një vlerësim objektiv për secilin kandidat; dhe me një pjesëmarrje të pakufizuar e jo-përjashtuese ndaj shoqërisë civile e organizatave ndërkombëtare.