Hoti jep sinjale pro mini-Shengenit ballkanik

Në një samit virtual të organizuar nga Këshilli Atlantik, liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministrin Avdullah Hoti, kanë shprehur nevojën për avancim bashkëpunimi, veçmas në fushën e lirisë së qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave. Me këtë kryetari i Qeverisë ka dhënë sinjale se është pro bashkimit të tregut mes vendeve të rajonit, pavarësisht se iniciativa për mini-Shengenin ballkanik ishte kundërshtuar në masë në Kosovë.

Kryeministri Hoti ka thënë të ketë barriera, që për burim e kanë burokracinë. Prandaj e ka parë të nevojshme që të lëvizet nga kjo situatë, raporton KOHA.

“Është gjë e mirë kjo qasje e bashkëpunimit shumëpalësh dhe ideja se nëse dy shtete kanë marrëveshje dypalëshe, ajo marrëveshje dhe ato kushte duhet të jenë në dispozicion të të gjitha shteteve të tjera. Kjo ndihmon në heqjen e barrierave burokratike që kemi”, ka thënë Hoti. “Ekonomitë tona individualisht janë të vogla në aspektin e fuqisë së tregut dhe kërkesës së tregut. Nëse bashkëpunojmë mund ta plotësojmë njëra-tjetrën”.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se aktualisht ambienti ekonomik nuk është i duhuri.

“Kemi punuar shumë për integrimin e rajonit, por duhet pranuar se rajoni është i fragmentuar, kur është në pyetje integrimi ekonomik”, ka thënë ai. “Arsyeja është se ka shumë barriera në aspektin e burokracisë me një numër çështjesh që duhet trajtuar në aspektin e legjislacionit dhe largimit të barrierave, ashtu si edhe në aspektin e infrastrukturës”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë mes iniciatorëve të mini-Shengenit, bashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Por iniciativën nuk kanë mundur ta jetësojnë, shkaku që ajo nuk pati siguruar mbështetje në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë.