Koordinatori i Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni, ka përsëritur se në takimin 7-orësh me koordinatorin e palës serbe, Marko Gjuriq, është biseduar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Ai ka thënë se sot janë trajtuar elemente ose kapituj të kësaj marrëveshjeje, e cila sipas tij do të jetë ligjërisht e obligueshme, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për zgjidhje parciale të asnjë çështje veç e veç.
“Po negociojmë element të një marrëveshje të përgjithshme e cila në fund do të jetë ligjërisht e obligueshme ndërkombëtarisht dhe patjetër që duhet të rezultojë me normalizim të marrëdhënieve reciproke Kosovë Serbi që nënkupton pashmangshëm njohje reciproke”, ka thënë ai.
Ai thotë se bisedat aktuale janë skajshmërisht politike sepse përcaktojnë qartë dispozitat e një marrëveshje të përgjithshme e cila specifikon obligime dhe zotime ligjërisht të obligueshme edhe politike edhe ligjore.
Hyseni tutje ka shtuar se nuk ka marrëveshje për asnjë kapitull veç e veç përderisa nuk do të ketë marrëveshje të përgjithshme.
“Do të ketë pajtim për element të marrëveshjes vetëm atëherë kur ta kemi arritur pajtim për marrëveshje të përgjithshme. E di qëndrimin e BE-së që nuk ka marrëveshje të veçantë për asgjë përderisa nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se nuk mund të ketë përmbyllje të asnjë teme, duke shtuar se mund të ketë përafrim të qëndrimeve rreth elementeve të caktuara që janë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme.
“Për gati 7 orë pa ndërprerë kemi trajtuar elemente të kësaj marrëveshje, bisedimet janë të vështira dhe unë nuk jam nga ata që pres që çdo gjë do të arrihet lehtë, por jam optimist sepse mbështetur në tonin e bisedave po ecim në drejtimin e duhur. Është herët të shfaqim optimizëm, sepse janë biseda të vështira, por me këmbëngulësi do të arrijmë atë që jemi nisur”, ka thënë ai.