Dështimi i takimit të Washingtonit, ka bërë që evropianët të aktivizohen sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë duke organizuar një seri takimesh të larta brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.
Vetëm brenda dy ditësh do të organizohet një Samit virtual i iniciuar nga Macron dhe Merkel dhe një takim i nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel.
Samiti i Parisit do të mbahet më 10 korrik dhe do të realizohet përmes një video-konference, shkaku i situatës pandemike.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga zyra për media e qeverisë gjermane, thonë se synimi i këtij Samiti është ofrimi i mbështetjes franko-gjermane për rifillimin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë nën drejtimin e Bashkimit Evropian.
“Qëllimi është që të mbështesim rifillimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës nën drejtimin e Bashkimit Evropian. Pas takimit do të japim një deklaratë për media lidhur me atë se çfarë është biseduar”, ka thënë për Express një zëdhënës i qeverisë gjermane.
Tutje ky zëdhënës ka treguar se Merkelit dhe Macronit në video-konferencën e Samitit të Parisit do t’i bashkohen kryeministri Kosovar, Avdullah Hoti, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell, dhe emisari për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ky Samit i paraprainë takimit të nivelit të lartë që do të mbahet më 12 korrik në Bruksel, ku Hoti dhe Vuçiq do të takohen me ndërmjetësimin e Borell dhe Lajçak.
Para këtyre dy iniciativave, kryeministri Avdullah Hoti, ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Paris, ku është takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Derisa Mirsolav Lajçak, ka qëndruar dje për një vizitë në Berlin ku ka takuar presidentin gjerman, Steinmeier, kryediplomatin Mass dhe këshilltarin për politikë të jashtme të kancelares gjermane, Jan Hecker.
Për gjithë këtë angazhim të Evropës është shprehur i lumtur edhe emisari i Trump për dialogun, Richard Grenell.
Në një intervistë për Gazetën Express, Grenell ka thënë se iniciativat e evropianëve kanë mbështetjen e plotë të SHBA’së, derisa ka thënë se presin që çështja e liberalizimit të vizave të përmbyllet në këto dy takime.