Qeveria japoneze synon pezullimin dhe më pas çmontimin e pjesës më të madhe të termocentraleve të vjetra me qymyr brenda vitit 2030.
Kështu ka deklaruar ministri japonez i Energjisë dhe Industrisë, Hiroshi Kajiyama.
“Rreth 100 impiante ose të paktën 90 për qind e tyre prej 114 termocentralet e qymyrit do të çmontohen”, tha Kajiyama, duke shtuar se që këtë muaj do të nisë procesi i transaksionit në forma të ndryshme të energjisë së rinovuar.
Japonia aktualisht gjeneron rreth 32 për qind të nevojave të saj për energji nga qymyri dhe vetëm 17 për qind nga burimet me një ndikim më të ulët mjedisor, si energjitë diellore dhe ato të erës.
Marsin e kaluar qeveria e Tokios konfirmoi objektivin e një uljeje me 26 për qind në emetimet e karbonit duke filluar nga viti fiskal 2013 deri në vitin 2030 sipas “Marrëveshjes së Parisit”, pavarësisht pritjet për një objektiv më ambicioz. /ATSH/