Kabineti Hoti projekton megaqeveri me 465 anëtarë

Numri i ministrave në Qeveri është pika e parë e orientimeve programore që Lidhja Demokratike (LDK) e kishte prezantuar si ofertë të saj për qytetarët, në prag të zgjedhjeve të fundit nacionale. Aty kishte dhënë zotimin se Qeverinë do ta bënte me vetëm 12 ministri.

Dokumenti mban titullin “Beso”. Por LDK-ja nuk i ka qëndruar pas. Përpos që Qeverinë e formuar një muaj më parë e ka bërë me 16 dikastere qeveritare, tani ekzekutivi që drejtohet nga kjo parti e ka finalizuar një projektligj që lë mundësinë për t’i bërë 17 ministri.

“Qeveria përbëhet nga jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) ministri. Përjashtimisht, me propozim të mandatarit për formimin e Qeverisë, mund të propozohen edhe dy ministri shtesë”, thuhet në nenin 4 të Projektligjit, i cili ndodhet në proces të konsultimit publik që nga e marta, shkruan KOHA Ditore.

Reklama e sponzorizuar

Ky dokument krijon mundësinë për megakabinet qeveritar. Përveç kryeministrit, lejon mundësinë e emërimit deri në tre zëvendëskryeministra, e krahas 17 ministrave, edhe të 40 zëvendësministrave.

Për ta do të angazhohet edhe një numër i madh këshilltarësh e nëpunësish të tjerë, të cilët do të punësohen pa konkurs. Kjo arkitekturë e Qeverisë krijon hapësirë që njëkohshëm në këtë institucion të emërohen deri në 465 njerëz të politikës.

Është lënë kjo mundësi, ani se pika e parë e orientimeve programore të LDK-së kishte këtë përmbajtje: “Qeveria e Kosovës do t’i ketë 12 ministri, secila sosh me vetëm dy zëvendësministra”.