Kadri Veseli në vetizolim, ka simptoma të COVID-19

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është vetizoluar të enjten, pasi i janë shfaqur simptoma të COVID-19. Këtë e ka bërë të ditur Veseli përmes një postimi në “facebook”. I pari i PDK-së është testuar të enjten dhe po e pret rezultatin.

“Pas disa simptomave të lehtë dhe dyshimeve që potencialisht mund të jam infektuar me Sars-CoV-2, sot e kam bërë testin. Në përputhje me rekomandimet e institucioneve, jam vetizoluar deri në konfirmimin e rezultatit”, ka shkruar Veseli.

Ndërkohë, sot është bërë e ditur se edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është diagnostikuar me COVID-19. Shërim Krasniqit i ka dëshiruar kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.

Reklama e sponzorizuar

“Uroj që kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës do ta kaloj me sukses këtë sfidë shëndetësore dhe do t’i kthehet sa më parë aktiviteteve tona të përbashkëta politike”, ka shkruar Limaj.

Në Kosovës vazhdon të jetë shumë i lartë numri i të infektuarve me koronavirus. Janë prekur tashmë shumë figura politike.