Katër mijë policë për të detyruar qytetarët të respektojnë masat kundër koronavirusit

Për mosrespektim të masës së vetizolimit, Policia e Kosovës pothuajse çdo ditë inicion lëndë për në gjykatë ndaj personave që janë pozitivë me COVID-19.

Vetëm gjatë javës së fundit është raportuar për 4 persona, të cilët ishin pozitivë dhe që nuk kanë respektuar masën e vetizolimit, raporton KOHA.

Për respektimin e masave janë angazhuar 4 mijë policë në tërë territorin e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Jemi duke shfrytëzuar edhe Kodin Penal, që në raste të caktuara të shfrytëzojmë edhe atë në mënyrë që t’i bindim qytetarët t’i respektojnë masat parandaluese”, ka thënë Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës.

Kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, ka thënë se për katër ditë u gjobitën 387 persona dhe 29 biznese.

Përderisa nga PDK-ja, në seancën e Kuvendit, është kërkuar bashkërendim institucionesh dhe kontroll më i madh për personat të cilët nuk po e respektojnë masën e vetizolimit.

Megjithatë, është përmendur edhe mundësia e publikimit të të dhënave të këtyre personave në mënyrë që të ketë kontroll më të madh në menaxhimin e pandemisë.

Për këtë ka reaguar edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke thënë që kjo është në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.